Njohuritë rreth kimioterapisë janë thelbësore për pacientët, familjarët, mjekët dhe shoqërinë në përgjithësi, pasi kjo formë trajtimi është një nga mjetet më të përdorura në luftën kundër kancerit.
Sidoqoftë, jo gjithmonë jemi të informuar në lidhje me atë se çka është kimioterapia, cilat janë funksionet e saja, sa zgjat apo edhe rreth ndikimit të përgjithshëm në organizëm.
Në lidhje me këtë, portali Familja Jonë ka intervistuar onkologun, Dr. Atdhe Agaj, që të na informoj më shumë rreth detajeve të këtij trajtimi kundër kancerit. Gjatë intervistës, ai na tregoi rreth llojeve të ndryshme të kimioterapisë, efekteve anësore më të zakonshme të kimoterapisë dhe si menaxhohen ato, periudhave kohore, kontrollave pas marrjes së këtij trajtimi, si dhe se çfarë duhet të bëjnë pacientët për të mbajtur një dietë të shëndetshme dhe për të ruajtur energjinë gjatë trajtimit me kimoterapi.
Më poshtë gjeni intervistën e plotë.
- Çfarë është kimoterapia dhe si funksionon?
Kimoterapia është një formë trajtimi që përdor barna për të vrarë ose për të penguar përhapjen e qelizave kanceroze në trup. Qelizat e kancerit karakterizohen nga ndarja e shpejtë dhe e pakontrolluar. Kimoterapia synon këto qeliza duke ndërhyrë në mekanizmat e tyre të ndarjes dhe përhapjes. Ajo funksionon duke ndërhyrë në sintezën e ADN-së ose ARN-së në qeliza, duke i pamundësuar ndarjen. Disa barna ndikojnë në strukturën e mikrotubulëve që janë të nevojshëm për ndarjen qelizore. Qelizat normale që ndahen shpejt (si ato të palcës kockore, flokëve, dhe mukozave) gjithashtu preken, gjë që sjell efektet anësore.
2. Cilat janë llojet e ndryshme të kimoterapisë?
Llojet kryesore të kimoterapisë klasifikohen sipas qëllimit të trajtimit dhe mënyrës së administrimit:
- Kurative (shëruese): Qëllimi është eliminimi i plotë i kancerit nga trupi.
- Adjuvante: Jepet pas operacionit për të shkatërruar qelizat mikroskopike të mbetura dhe për të parandaluar rikthimin e sëmundjes.
- Neoadjuvante: Jepet para operacionit për të zvogëluar madhësinë e tumorit dhe për ta bërë më të lehtë heqjen kirurgjikale.
- Paliative: Synon përmirësimin e cilësisë së jetës dhe zvogëlimin e simptomave tek pacientët me kancer në fazë të avancuar që nuk mund të kurohet.
- Kombinuar me terapi të tjera: Si imunoterapia, radioterapia ose terapia hormonale, për të arritur efekt më të mirë.
3. Cilat janë efektet anësore më të zakonshme të kimoterapisë dhe si menaxhohen ato?
Efektet anësore ndodhin sepse kimoterapia ndikon edhe në qelizat e shëndetshme që ndahen shpejt. Më të zakonshmet janë lodhja, nauze dhe të vjella, rënia e flokëve (alopecia), ulja e qelizave të gjakut, anemia (ulje e eritrociteve), leukopenia (ulje e leukociteve), trombocitopenia (ulje e trombociteve), diarre/kapsllëk, ulje e oreksit dhe humbje peshe, dëmtime nervore (neuropati periferike), etj.
4. Sa zgjat një cikël i kimoterapisë dhe sa cikle mund të kërkohen për një pacient?
Cikli i kimoterapisë është periudha e administrimit të barnave + koha e rikuperimit. Zakonisht zgjat 1–4 javë, varësisht nga protokolli. Numri i cikleve varet nga lloji i kancerit, qëllimi i trajtimit, përgjigjja ndaj terapisë dhe toleranca e pacientit. Zakonisht varion nga 4 deri në 8 cikle, por mund të jetë më shumë për sëmundje të avancuara. Shembull: Në kancerin e gjirit pas operacionit, pacienti mund të marrë 6 cikle çdo 3 javë.
5. Si ndikon kimoterapia në sistemin imunitar të trupit?
Kimoterapia prek palcën e kockave, organi që prodhon qelizat e gjakut, përfshirë leukocitet (qelizat e bardha të gjakut), të cilat janë thelbësore për imunitetin. Si rezultat rritet rreziku për infeksione bakteriale, virale ose mykotike. Shenjat për infeksion duhet të vëzhgohen me kujdes (temperaturë, ethe, kollë, etj.). Masa për mbrojtje përfshijnë higjienë e lartë personale, shmangia e kontakteve me persona të sëmurë dhe ushqim i mirë për të mbështetur sistemin imunitar.
6. Cilat janë shenjat që tregojnë se kimoterapia po funksionon siç duhet?
Efektiviteti i kimoterapisë vlerësohet me skanime imazherike (CT, MRI, PET) që tregojnë reduktim të tumorit, përmirësim të simptomave klinike, si dhimbja, vështirësia në frymëmarrje etj., rënie e markerëve tumoralë në gjak (nëse ka të tillë të përcaktuar për llojin e kancerit) dhe analiza të përgjithshme që tregojnë stabilizim ose regresion të sëmundjes. Në disa raste, mund të shihet një përkeqësim i përkohshëm përpara përmirësimit, ndaj mjekët ndjekin progresin me kujdes
7. Çfarë duhet të bëjnë pacientët për të mbajtur një dietë të shëndetshme dhe për të ruajtur energjinë gjatë trajtimit me kimoterapi?
Pacientët që marrin kimoterapi duhet të kenë kujdes të veçantë me ushqimin për të ruajtur peshën dhe imunitetin: Këshilla dietike:
- Hani shpesh, por në sasi të vogla.
- Konsumoni proteina të mira (mish pa dhjamë, vezë, peshk, kos, fasule).
- Përdorni fruta dhe perime të freskëta (të pastruara mirë për të shmangur infeksionet).
- Pini shumë ujë dhe lëngje për të qëndruar të hidratuar.
- Shmangni ushqimet shumë të kripura, me yndyrë ose shumë të përpunuara.
- Në raste të nauzës, mund të ndihmojnë ushqime të thata si biskotat e kripura. Aktiviteti fizik i lehtë, si ecja ditore, ndihmon për të ruajtur energjinë dhe për të përmirësuar humorin.
8. Për sa kohë pas përfundimit të kimoterapisë duhet të bëhen kontrolla të rregullta për të monitoruar shëndetin e pacientit?
Kontrollet janë shumë të rëndësishme për vëzhgimin e efekteve afatgjata të trajtimit, zbulimin e hershëm të rikthimit të kancerit dhe monitorimin e funksioneve të organeve të prekura nga trajtimi. Plani tipik i ndjekjes pas kimoterapisë: Çdo 3–6 muaj për 2–3 vitet e para, pastaj çdo 6–12 muaj për 2–5 vitet e ardhshme, Më pas, një herë në vit nëse gjithçka është në rregull qe përfshin vizitat te onkologu, analizat e gjaku dhe markerë tumoralë (nëse aplikohen) dhe Imazheri sipas rastit (CT, MRI, etj.)












