Albina Selmanaj
Siguria në shkolla është një çështje tepër e rëndësishme për çdo shoqëri, pasi ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve. Me rritjen e shqetësimeve për dhunën dhe sjelljet problematike në shkolla, krijimi i një mjedisi të sigurt për nxënësit është bërë një sfidë e madhe për sistemin edukativ.
Për të diskutuar më në detaje mbi këtë problematikë, Familjajonë ka intervistuar ekspertin e njohur për çështje sociale, Vebi Mujkun, i cili thekson se gjendja e sigurisë në shkollat e Kosovës është alarmante, duke u shkaktuar shpesh nga një pjesë e vetë nxënësve.
Mujku shprehet se për të trajtuar fëmijët që rrezikojnë sigurinë në shkolla, duhet të ndërmerren masa të koordinuara nga shumë institucione dhe aktorë të ndryshëm.
“Në secilën shkollë fillore dhe të mesme ka nxënës që NUK duhet të lejohet të vijojnë mësimin. Këta fëmijë duhet të jenë pjesë e punës së ekipes multidiplinare, ku marrin pjesë përveç shkollës, edhe familja, komuniteti, policia e komunitetit, shërbimet sociale, drejtoria e arsimit, dhe OJQ të specializuara në ofrim të shërbimeve me sjellje asociale,” – shprehet Mujku.
Një nga faktorët kryesorë që kontribuojnë në krijimin e kësaj situate, sipas Mujkut, është mungesa e angazhimit të disa prindërve në edukimin e fëmijëve të tyre. Ai thekson se shumë prindër shpesh nuk e ndiejnë përgjegjësinë për sjelljen e fëmijëve, mjaftueshëm vetëm duke i dërguar ata në shkollë.
“Një numër i konsiderueshëm i prindërve nuk e ndjen obligim dhe përgjegjësi ndaj fëmijët pasi e dërgon në shkollë. Nuk realizon asnjë vizitë, nuk merr pjesë në mbledhje të prindërve, nuk përgjigjet në tjirrjet e shkollës për vërejtjet e mësimdhënësve që kanë ndaj fëmijët të tyre. Krejt kjo ndikon që fëmija të mos përmirësojë sjelljet dhe të merr krahë për veprime tjera jo proporcionale për rrethin,” tha ai.
Në këtë kontekst, Mujku sugjeron krijimin e shkollave të veçanta për fëmijët që nuk përshtaten me sistemin tradicional shkollor. Sipas tij, fëmijët kanë aftësi dhe talente të ndryshme që mund të zhvillohen më mirë në shkolla të specializuara, ku mund të fokusohen në fusha praktike si sportet, zanatet, ose punët e sigurisë.
“Çdo fëmijë ka aftësi dhe talente të veçanta që mund të zhvillohen në shkolla më të specializuara, ku ata mund të fokusohen në fusha praktike si sportet, zanatet apo edhe punët e sigurisë,” shprehet ai.
Një tjetër kritikë që Mujku ka ndaj politikave aktuale të shkollave është se ato shpesh janë më shumë teorike sesa praktike. Ai thekson se shumica e shkollave nuk kanë një plan të qartë veprimi për trajtimin e fëmijëve me sjellje problematike, duke e bërë situatën më të vështirë për mësuesit dhe për nxënësit.
“Shkollat shpesh janë të papërgatitura dhe nuk kanë një plan konkret për trajtimin e fëmijëve me sjellje problematike. Politikat e tanishme janë më shumë teorike se praktike,” shprehet ai.
Një pikë tjetër shqetësuese sipas Mujkut është mungesa e ekspertëve të duhur për të trajtuar aspektet e tjera të sjelljeve problematike, përveç aspekteve mësimore. Ai thekson se psikologët shkollorë janë të përgatitur për mësimnxënie, por shpesh nuk janë të trajnuar për të adresuar sjelljet asociale dhe rehabilitimin e familjeve.
“Psikologët shkollorë janë të arsimuar për mësimnxënien dhe shpesh nuk kanë aftësi të theksuara për të trajtuar sjelljet asociale dhe rehabilitimin e familjeve,” thekson ai.
Në fund, Mujku sugjeron disa hapa për përmirësimin e sigurisë dhe atmosferës në shkolla. Ai potencon rëndësinë e angazhimit të prindërve dhe kontrollit të rregullt të çantave të nxënësve për mjetet e rrezikshme. Po ashtu, ai rekomandon një kontroll më të madh mbi përdorimin e telefonave celularë dhe aplikacioneve, të cilat mund të shkaktojnë dhunë dhe kërcënime.
“Është shumë e rëndësishme që të bëhen kontrolle të rregullta dhe të angazhohen prindërit në mbikëqyrjen e sjelljeve të fëmijëve të tyre, për të krijuar një mjedis më të sigurt dhe më të shëndetshëm në shkolla,” përfundon ai.