Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës – SHSKUK, ka njoftuar se në Klinikën e Kirurgjisë Plastike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjatë festave të fundvitit, është trajtuar një numër i konsiderueshëm pacientësh të lënduar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike, kryesisht petardave.
“Aktualisht, gjashtë pacientë janë të hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike për shkak të lëndimeve shumë të rënda të duarve, të cilat kërkojnë mjekim të mëtejmë dhe trajtim të specializuar.” thuhet në njoftimin e SHSKUK-së ku theksohe se këto lëndime shpesh shoqërohen me pasoja të përhershme funksionale dhe psikologjike, si dhe kërkojnë ndërhyrje të shumta kirurgjikale dhe rehabilitim afatgjatë.
Sipas SHSKUK-së, pjesa më e madhe e të lënduarve janë fëmijë dhe adoleshentë. Rastet e trajtuara në Klinikën e Kirurgjisë Plastike të QKUK-së kanë qenë kryesisht lëndime të duarve, veçanërisht të gishtërinjve, të cilat në disa raste kanë përfunduar me amputime të pjesshme apo të plota, si dhe me dëmtime serioze funksionale të aparatit tendinoz (tendinave te gjishtrinjëve të duarve).
Po ashtu, SHSKUK-ja thekson janë regjistruar edhe lëndime në regjionin e fytyrës, të cilat kërkojnë trajtim të specializuar dhe mund të lënë pasoja estetike dhe funksionale afatgjata.
“Klinika e Kirurgjisë Plastike u bën thirrje prindërve, kujdestarëve dhe institucioneve përkatëse që të rrisin kontrollin dhe ndërgjegjësimin lidhur me rreziqet e përdorimit të mjeteve piroteknike, veçanërisht nga fëmijët.” thuhet në këtë njoftim.













