Art Haliti, vetëm 7 muajsh, ka pësuar një lëndim të rëndë të pleksusit brakial gjatë lindjes, që ka shkaktuar paralizë në krahun e tij.
Siç kanë njoftuar prindërit e tij, në ditët e para të jetës, Arti nuk ka mundur ta lëvizë krahun si foshnjat e tjera.
“Pas konsultave me specialistë jashtë vendit, morëm një përgjigje të qartë dhe urgjente nga një spital i specializuar në Vjenë, Austri. Pesë rrënjët shpinore të pleksusit brakial janë të dëmtuara dhe nuk ka shenja përmirësimi natyral,” thuhet në njoftimin e publikuar në platformën online për mbledhje fondesh, GoFundMe.
Nëna e Artit, Fortuna Shkodra Haliti, ka njoftuar se tashmë është arritur dhe tejkaluar shuma prej 30 mijë euro, e cila mbulon operacionin dhe qëndrimin në spital. Megjithatë, ajo ka theksuar se rrugëtimi i Artit nuk përfundon me kaq.
“Pas operacionit, ai do të ketë nevojë për:
- Fizioterapi dhe rehabilitim të vazhdueshëm
- Kontrolle dhe përcjellje mjekësore
- Shpenzime udhëtimi dhe qëndrimi për vizitat mjekësore
- Pajisje ose terapi të specializuara, nëse do të jenë të nevojshme” ka bërë të ditur ajo.
Shkodra Haliti ka falënderuar të gjithë donatorët dhe ka garantuar transparencë në përdorimin e fondeve:
“Çdo kontribut shtesë do të shkojë drejtpërdrejt për këto nevoja, në mënyrë që Artit t’i sigurohet kujdesi dhe mundësia më e mirë për rikuperim. Ju i keni dhënë djalit tonë shpresë, neve forcë, dhe na keni treguar se nuk jemi vetëm,” ka thënë ajo.
Ky është linku i platformes online GoFundMe ku mund të mbidhen fondet për t’i ndihmuar Art Halitit”












