Ajri i kondicionuar është bërë pjesë e pandashme e jetës moderne, veçanërisht gjatë valëve të të nxehtit që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike. Megjithatë, shumë njerëz vazhdojnë të kenë dilema nëse qëndrimi i gjatë në ambiente me ajër të kondicionuar mund të ndikojë negativisht në shëndet.
Sipas Index.hr, transmeton, studimet tregojnë se kondicioneri në përgjithësi ka më shumë përfitime sesa pasoja negative, veçanërisht gjatë temperaturave ekstreme. Megjithatë, përdorimi jo i duhur i tij mund të shkaktojë disa probleme shëndetësore.
Temperaturat e larta përbëjnë një rrezik serioz për shëndetin. Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore The Lancet, gjatë viteve 2000–2019 rreth 489 mijë vdekje në vit në botë i atribuohen ekspozimit ndaj nxehtësisë ekstreme. Për këtë arsye, kondicioneri konsiderohet një mjet që mund të shpëtojë jetë, veçanërisht gjatë valëve të forta të të nxehtit.
Një studim i publikuar në revistën BMC Public Health analizoi ndikimin e sistemeve të ngrohjes, ventilimit dhe kondicionimit të ajrit (HVAC) te pacientët në spitale. Rezultatet treguan se këto sisteme mund të ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së pacientëve, duke ndikuar pozitivisht në shenjat jetësore, uljen e stresit kardiak, përshpejtimin e rikuperimit dhe reduktimin e qëndrimit në spital, veçanërisht te pacientët me probleme të frymëmarrjes.
Përfitimet e ajrit të kondicionuar janë vërejtur edhe te njerëzit e shëndetshëm. Një studim nga Shkolla e Shëndetit Publik Harvard T.H. Chan ndoqi 44 studentë gjatë një vale të nxehti në Massachusetts dhe krahasoi ata që jetonin në ambiente me ajër të kondicionuar me ata që jetonin pa të.
Rezultatet treguan se studentët në ambiente pa kondicioner kishin performancë më të dobët në testet njohëse. Ata kishin kohë reagimi rreth 13.4 për qind më të ngadalta në testet e fjalëve dhe ngjyrave dhe rezultate rreth 13.3 për qind më të ulëta në testet e mbledhjes dhe zbritjes, krahasuar me studentët që jetonin në ambiente të ftohura.
Studiuesit besojnë se kjo rënie e funksionit mendor lidhet me stresin që shkakton nxehtësia në organizëm dhe ndikimin e saj në tru.
Kondicioneri ndihmon gjithashtu në ruajtjen e temperaturës normale të trupit, veçanërisht në zona me klimë të nxehtë dhe të lagësht, ku rreziku i goditjes nga nxehtësia është më i madh. Një ambient më i freskët mund të përmirësojë edhe cilësinë e gjumit, pasi shumica e njerëzve flenë më mirë në temperatura më të ulëta.
Për më tepër, filtrat e kondicionerëve mund të ndihmojnë në uljen e alergjenëve në ajër, nëse pajisja mirëmbahet siç duhet.
Megjithatë, ndryshimet e menjëhershme të temperaturës mund të krijojnë shqetësime për trupin. Kalimi nga një ambient shumë i nxehtë në një hapësirë shumë të ftohtë mund të shkaktojë dhimbje koke, lodhje dhe dhimbje muskulore.
Ekspozimi i menjëhershëm ndaj ajrit të ftohtë mund të ndikojë edhe në rrugët e frymëmarrjes, veçanërisht te personat me astmë ose sëmundje kronike obstruktive pulmonare (SPOK). Ajri i ftohtë mund të irritojë rrugët e frymëmarrjes dhe të shkaktojë kollë ose vështirësi në frymëmarrje.
Ndryshimet e shpejta të temperaturës mund të ndikojnë edhe në sistemin kardiovaskular. Personat me probleme të zemrës ose tension të lartë mund të përjetojnë përkeqësim të simptomave, pasi temperaturat ekstreme ndikojnë në punën e zemrës dhe enëve të gjakut.
Për të përfituar nga avantazhet e kondicionerit dhe për të shmangur efektet negative, ekspertët rekomandojnë mirëmbajtje të rregullt të pajisjes. Filtrat duhet të pastrohen ose të zëvendësohen çdo disa muaj, ndërsa kondicioneri duhet të kontrollohet profesionalisht të paktën një herë në vit për të shmangur grumbullimin e baktereve dhe mykut.
Gjithashtu, temperatura e kondicionerit nuk duhet të jetë shumë e ulët krahasuar me temperaturën jashtë. Ekspertët rekomandojnë që ajo të mbahet zakonisht midis 22 dhe 26 gradë Celsius, pasi diferencat e mëdha të temperaturës mund të jenë stresuese për organizmin.
Në fund, kondicioneri nuk është armik i shëndetit. Kur përdoret dhe mirëmbahet siç duhet, ai mund të jetë një mjet i rëndësishëm për mbrojtjen e trupit gjatë periudhave me temperatura ekstreme.













