Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjilan është furnizuar me vaksina të gripit sezonal dhe nga e shtuna fillon dhënia e tyre.
Kështu thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.
Sipas njoftimit, drejtoresha Arbenita Hajdari ka bërë të ditur se dy ditët e para (e shtunë dhe e diel) vaksinimi do të bëhet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Dardania, nga ora 10:00 deri në orën 16:00.
Nga e hëna, 1 nëntor, vaksinimi bëhet në tri Qendra të Mjekësisë Familjare: në QKMF, si dhe në ambulancat ‘Dheu i Bardhë’ dhe ‘Ramiz Cërnica’ (te Zalli), duke filluar nga ora 8:00 deri në 14:00.
“Vaksinat kundër gripit sezonal janë të dedikuara për grupet më të ndjeshme, si të moshuarit dhe të prekurit nga sëmundjet kronike, si nevojë për rritjen e aftësisë reaguese të organizmit ndaj viruseve të ndryshëm”, tha ajo.