Psoriaza është një gjendje jo normale e lëkurës që krijon njolla të kuqe, të thata, me luspa që shkaktojnë kruarje në fytyrë dhe në trup.
Psoriaza ndikon më shumë në cilësinë e jetës së grave krahasuar me atë të meshkujve. Zakonisht, kjo gjendje e lëkurës mund të shfaqet për herë të parë në moshën 15 deri në 25, por nuk përjashton mundësinë e shfaqjes në çdo periudhë tjetër.
Në fillimet e saj psoriaza shfaqet në formë njollash të vockla dhe të kuqe, të cilat nëse nuk trajtohen mund të përkeqësohen shpejt. Simptomat e saj mund të përkeqësohen edhe më gjatë dimrit. I ftohti dhe lëkura e thatë janë armiqtë numër një!
Deri më tani nuk është zbuluar asnjë kurë që mund të shërojë plotësisht psoriazën, por vetëm medikamente dhe trajtime të cilat e mbajnë nën kontrroll.
Të gjithë ata që vuajnë prej saj shpesh ndihen të paragjykuar për shkak të shenjave në trup apo prej mendimit të të tjerëve, prandaj mbështetja psikologjike luan një rol shumë të rëndësishëm gjatë trajtimit të saj. Çfarë s’duhet të harroni? Psoriaza nuk është ngjitëse!