Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Si kryhen ushtrimet e Kegelit të cilat ndihmojnë në një lindje të lehtë?

Muskujt e zonës së legenit ndihmojnë në mbështetjen e mitrës, fshikëzës dhe zorrëve. Tonifikimi i tyre përmes ushtrimeve të Kegelit, do t’ju ndihmojë në lehtësimin e shqetësimeve gjatë muajve të fundit të shtatzënisë dhe sidomos të dy prej tyre, të cilat do t’i ndieni edhe më pas: inkontinenca urinare dhe hemorroidet. Duke forcuar muskujt rreth zonës së legenit, do të ulni rrezikun për të mos e kontrolluar urinimin si gjatë ashtu edhe pas shtatzënisë.

Si kryhen ushtrimet e Kegelit? Fillimisht identifikoni muskujt e legenit, rreth vaginës dhe anusit. Për t’u siguruar që keni gjetur muskujt e duhur, përpiquni të ndaloni rrjedhjen e urinës teksa jeni duke shkuar në tualet. Në rast se ia dilni, atëherë keni gjetur muskujt e duhur. Mos e bëni vazhdimisht, sepse mund t’ju bëhet zakon. Ushtrimet e Kegelit gjatë kohës që urinoni ose kur fshikëza është plot, mund të dobësojnë muskujt. Gjithashtu, rrezikoni të mos e zbrazni plotësisht fshikëzën, gjë që mund të sjellë zhvillimin e një infeksioni në traktin urinar. Në qoftë se hasni vështirësi për të gjetur muskujt e duhur, provoni një teknikë tjetër. Vendosni një gisht brenda vaginës dhe kur t’i shtrëngoni muskujt e saj, do t’i ndieni. Muskujt që keni shtrënguar janë muskujt që ndodhen në zonën e legenit. Pasi të keni identifikuar muskujt e legenit, zbrazni fshikëzën dhe qëndroni ulur ose në këmbë. Pastaj shtrëngojini fort muskujt e legenit. Bëjeni shpesh këtë dhe nga pesë sekonda. Punoni deri sa t’i mbani të kontraktuar muskujt për 10 sekonda pa ndaluar. Ndërkohë, mund të bëni një pushim prej 10 sekondash ndërmjet kontraktimeve. Përgjatë ditës, bëni tri grupe me nga 10 ushtrime të tilla. Pastaj, numëroni shpejt deri në dhjetë, duke kontraktuar dhe çliruar muskujt e legenit sa herë që thoni një numër. Teksa jeni duke bërë këto ushtrime, mos i mblidhni dhe lironi muskujt e barkut, të kofshëve apo të të ndenjurave. Kjo, në fakt, mund ta përkeqësojë tonifikimin e muskujve të legenit. Gjithashtu, përpiquni të mos e mbani frymën. Thjesht qetësohuni dhe përqendrohuni te muskujt përreth vaginës dhe anusit. 

Marre nga libri “Udhërrëfyes për një shtatzëni të shëndetshme”

Youtube

Arkiva

Kategoritë