Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Klinika e Neonatologjisë, me respiratorë të rinj

Klinika e Neonatologjisë, me respiratorë të rinj

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, dhe drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, kanë vizituar Klinikën e Neonatologjisë ku janë dorëzuar zyrtarisht 3 respiratorë, të cilët do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë gjatë trajtimit të foshnjave të porsalindura me probleme shëndetësore.
Respiratori është një pajisje që mbështet foshnjat, që kanë nevojë më të lartë të oksigjenit dhe presioneve, për shkak të infeksioneve të ndryshme apo anomalive të lindura, si dhe foshnjat e lindura para kohe.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se në mungesë të aparaturave mjekësore, në veçanti në Klinikën e Neonatologjisë, shpeshherë mjekët nuk kanë mundur t’u japin trajtimin e duhur shëndetësor foshnjave.

“Në kuadër të furnizimit me pajisje të reja që kemi bërë gjatë gjithë vitit në këtë klinikë, tani u kemi dorëzuar edhe 3 respiratorë në vlerë prej 43 mijë eurove, për trajtimin e foshnjave të porsalindura me probleme shëndetësore”.

“Këto aparatura do të rrisin cilësinë e trajtimit, në veçanti te foshnjat që kanë problem me mushkëri apo zemër. Këtë vit kemi kontraktuar edhe shumë pajisje tjera për këtë klinikë për të siguruar shëndet për fëmijët tanë”, tha Ismaili.

Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, ndërkaq, premtoi se në Klinikën e Neonatologjisë do të ketë edhe investime të tjera, në mënyrë që foshnjat të kenë trajtim sa më dinjitoz.

“Kemi investuar në pajisje në Klinikën Neonatologjisë, poashtu në infrastrukturë. Do të ketë edhe investime tjera në aparaturë, infrastrukturë dhe staf profesional. Me këtë, do të ofrohen kushte më të mira të punës, që mundësojnë edhe nivel më të mirë profesional dhe foshnjat të kenë një përkujdesje më të madhe”, theksoi Sejdiu

Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, në anën tjetër, deklaroi se aparatura e re e bën më të lehtë punën e stafit mjekësor dhe ofron tretman më të mirë për fëmijët e sëmurë.

“Ardhja e pajisjeve të reja e lehtëson punën, sepse, shpesh, në mungesë të pajisjeve, më herët kemi pasur më të vështirë trajtimin e foshnjave me probleme shëndetësore. Tash, nuk kemi këso probleme dhe ardhja e aparaturës së re e rrit shumë cilësinë e shërbimeve”, thotë Gojnovci.

Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK kanë hartuar politika konkrete për investime në pajisje, në përputhje me nevojat e klinikave dhe spitaleve regjionale, me synim të përmirësimit të kushteve rreth ofrimit të shërbimeve për pacientin.

Youtube

Arkiva

Kategoritë