Kosova radhitet në mesin e vendeve me përqindje të lartë të vaksinimit. Sipas statistikave zyrtare, 95 për qind e fëmijëve, janë vaksinuar, sukses ky që ka parandaluar epidemitë për 10 sëmundje vaksinë preventabile.
Kosova, shembull suksesi për imunizimin e fëmijëve. Derisa në vendet fqinje ë raportuar për epidemi të fruthit Kosova nuk ka epidemi dhe fruthi është nën kontrollë. Kosova është ndër 42 vendet që kanë ndërprerë me sukses përhapjen endemike të fruthit, duke qenë që për 15 vjet nuk ka pasur raste të fruthit në Kosovë, falë shkallës së lartë të vaksinimit kundër fruthit dhe rubeolës në 95 për qind, me çka është mundësuar edhe rënie e intensitetit të epidemisë së fruthit që u shfaqë në gjysmën e dytë të dhjetorit 2017, duke siguruar kështu një përgjigje efektive ndaj epidemisë.
Me një shkallë të përgjithshme të imunizimit të fëmijëve në Kosovë mbi 95 për qind që realizohet në kuadër të Programit të Zgjeruar të Imunizimit (PZI), ky program konsiderohet si një prej storieve më të suksesshme të shëndetësisë kosovare, që e bën Kosovën të radhitet në mesin e shteteve më të suksesshme në botë sa i përket imunizimit. Programi i Zgjeruar i Imunizimit është me prioritet të lartë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë ka miratuar politikat e imunizimit, planet për sigurimin e vaksinave dhe materialin tjetër të hartuar dhe implementuar nga IKSHP. Për të zvogëluar shkallën e lartë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, objektivi kryesor i PZI është arritja e shkallës së lartë të përfshirjes me vaksinim të rregullt, sidomos e fëmijëve të grup-moshës 0-12 muaj.
Ne po realizojmë me plot sukses edhe programe të veçanta të përfshirjes së fëmijëve të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, e serbë në mënyrë që asnjë fëmijë të mos mbetet pa vaksinim. Duke i falënderuar PZI, në Kosova nuk ka sot paralizë të fëmijëve, nuk ka difteri nga 1981 si dhe është përqafuar programi për eliminimin e fruthit dhe kontrollin e rubeolës kongjenitale. Imunizimi është një nga intervenimet më efektive të shëndetit publik dhe ka potencial për të reduktuar vdekshmërinë e fëmijëve dhe do promovohet imunizimi si intervenim i lirë, efektiv dhe me rezultate shumë të mira në funksion edhe të zhvillimit të qëndrueshëm.
Çdo person meriton të mbrohet nga sëmundjet te parandalueshme me anë të vaksinave dhe luan një rol jetësor në mbrojtjen e të tjerëve duke zgjedhur të vaksinohet.
Ndër sëmundjet vaksinë preventabile që nuk ka shënuar sivjet epidemi është fruthi.
Sipas Programit të Zgjeruar të Vaksinimit, vaksinimi kundër fruthit me vaksinën MMR është i obliguar me Ligj dhe i nënshtrohen të gjithë fëmijët e moshës 12 muajshe dhe ajo 6 vjeçare me 1 dozë prej 0.5ml. Nëse fëmija nuk është vaksinuar në periudhën kohore të caktuar, prindi është i obliguar të kompletojë statusin vaksinal të fëmijës sa më parë. Përjashtim bëjnë vetëm fëmijët që për çfarëdo arsye qoftë kanë kundërindikacion specifik për vaksinim.
Sëmundja e fruthit karakterizohet me shkallë të lartë të infektueshmërisë andaj edhe përhapja brenda territorit të caktuar është e shpejtë. Rreziku ndër-shtetëror i importimit të sëmundjes nga vendet fqinje dhe vendet e Europës është permanent pasi që sëmundja përhapet me ajër. Por duke pasur parasysh mbulimin e shkëlqyeshëm me vaksinim nuk ka rrezik për shpërthim në përmasa të gjëra.
Viteve të fundit sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, fruthi ka “rilindur” në Evropë, ku numri i njerëzve të infektuar që nga viti 2007, është trefishuar nga shkaku se nuk janë vaksinuar me rregull. Në shumë vende të Europës janë regjistruar të sëmurë dhe të vdekur nga Fruthi (Ukraina, Serbia, Franca, Gereqia, Italia, Rumania, Gjermania, Spanja)
Nԯ tremujorin e parë të këtij viti numri i rasteve të fruthit në Botë është 300% më i lartë se vitin e kaluar.
Organizata Botërore të Shëndetësisë raporton për rritje të shkallës së sëmundshmërisë nga fruthi në Rajonin e Evropës dhe Ballkanit përfshirë edhe Maqedoninë e cila sot ka shpallur epidemi.
Në Kosovë situata epidemiologjike me fruth është në kontrollë të plotë dhe në mbikëqyrje permanente nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Aktualisht në laboratoret e Institutit Kombëtar janë izoluar 7 raste sporadike të fruthit.
Të gjithë ata fëmijë të vaksinuar me rregull nuk do të sëmuren nga fruthi!
Andaj, apelojmë te të gjithë prindët të cilët për shkaqe të ndryshme nuk i kanë vaksinuar fëmijët e tyre kundër fruthit por edhe kundër sëmundjeve tjera vaksinë preventabile, të lajmërohen menjëherë në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familiare në komunat përkatëse për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve të tyre.
Instituti Kombëtar në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë ka siguruar doza të mjaftueshme të vaksinave kundër fruthit dhe sëmundjeve tjera vaksinë preventabile. dhe po implementon masat parandaluese e kontrolluese.
Përmes aktiviteteve të veçanta, Instituti Kombëtar dhe QKMF-të bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme po tenton të gjejë të gjithë fëmijët e komunitetit RAE për t’i vaksinuar kundër fruthit dhe kundër sëmundjeve vaksinë preventabile. Numri më i madh i fëmijëve të komunitetit RAE janë regjistruar me identitet të ndryshëm në Kosovë dhe identitet tjetër kur lëvizin në vendet fqinje!
Lusim Televizionin Publik të Kosovës që këtë apel ta emitojnë pos në gjuhën shqipe edhe në gjuhën serbe, turke dhe rome. Lusim të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike të publikojnë këtë apel në hapësirat e tyre.