Vdekshmëria perinatale dhe e fëmijëve në Kosovë, gjendja e saj ndër vite dhe sfidat që vazhdojnë të mbeten në sistemin shëndetësor ishin në fokus të emisionit “Familja Jonë” këtë të diel.
Për këtë temë diskutuan Prof. Dr. Shefqet Lulaj, gjinekolog, dhe Dr. Agron Gashi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale, të cilët trajtuan ndryshimet në vdekshmërinë perinatale gjatë 25 viteve të fundit në Kosovë.
Gjatë emisionit u diskutua për shkaqet kryesore të vdekjeve perinatale, rëndësinë e kontrolleve të rregullta gjatë shtatzënisë dhe kujdesit neonatal, si dhe sfidat me të cilat përballen foshnjat e lindura para kohe dhe me peshë të ulët.
Një ndër të dhënat shqetësuese të prezantuara ishte se vdekshmëria perinatale në Kosovë vazhdon të jetë dy herë më e lartë krahasuar me vendet evropiane, ndërsa komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian mbeten veçanërisht të prekura.
Të ftuarit folën gjithashtu për përqindjen e lartë të lindjeve me prerje cezariane, rënien e numrit të lindjeve në Kosovë dhe rëndësinë e identifikimit me kohë të shtatzënive me rrezik të shtuar.
Në përfundim, u theksua se kontrollet para dhe gjatë shtatzënisë, qasja në kujdes cilësor shëndetësor dhe ndërhyrja me kohë janë thelbësore për parandalimin e komplikimeve dhe rritjen e mundësive për mbijetesën e të porsalindurve.













