Humbja e dëgjimit mund të shfaqet në mënyra që shumë njerëz i njohin: volumi i televizorit rritet disa nivele, bisedat bëhen më të vështira për t’u ndjekur dhe pyetja “A mund ta përsërisni?” bëhet gjithnjë e më e zakonshme.
Por ajo që po ndodh në trup mund të mos lidhet vetëm me mënyrën se si funksionojnë veshët. Studimet e fundit tregojnë se humbja e dëgjimit mund të jetë një faktor i rëndësishëm rreziku për zhvillimin e demencës.
Pra, cila është lidhja mes dëgjimit dhe shëndetit të trurit?
Neuropsikiatri Dylan Wint, MD, shpjegon lidhjen mes tyre dhe mënyrat se si mund të kujdesemi për dëgjimin dhe shëndetin e trurit.
A shkakton humbja e dëgjimit demencë?
Fjala “shkak” mund të jetë paksa e fortë, por ekziston një lidhje e qartë mes humbjes së dëgjimit dhe demencës. Studimet tregojnë se njerëzit me humbje të dëgjimit kanë shumë më tepër gjasa të përjetojnë rënie të funksioneve njohëse krahasuar me ata që nuk kanë probleme me dëgjimin.
Studimet i atribuojnë humbjes së dëgjimit deri në 8% të rasteve të demencës. Rreziku për demencë duket se rritet edhe me përkeqësimin e humbjes së dëgjimit:
- Humbja e lehtë e dëgjimit lidhet me rreth dyfishin e rrezikut për demencë.
- Humbja e moderuar e dëgjimit lidhet me rreth trefishin e rrezikut.
- Humbja e rëndë e dëgjimit lidhet me rreth pesëfishin e rrezikut.
“Ky nuk është një lidhje që komuniteti mjekësor e kishte identifikuar deri vonë, por rezulton se humbja e dëgjimit është një nga faktorët më të mëdhenj të modifikueshëm të rrezikut për demencë”, thotë Dr. Wint. “Ajo ka pasoja edhe në shëndetin njohës.”
Si mund të kontribuojë humbja e dëgjimit në zhvillimin e demencës?
Megjithëse kërkimet vazhdojnë për të kuptuar plotësisht lidhjen mes tyre, disa faktorë duket se luajnë një rol të rëndësishëm.
Atrofia e trurit
Korteksi dëgjimor është pjesa e trurit përgjegjëse për përpunimin e tingujve. Kur humbja e dëgjimit kufizon atë që veshët janë në gjendje të perceptojnë, kjo zonë e trurit merr më pak stimulim. Me kalimin e kohës, ajo mund të fillojë të zvogëlohet.
“Korteksi dëgjimor në fakt fillon të hollohet te njerëzit me humbje të dëgjimit”, shpjegon Dr. Wint. “Ka atrofi, pra tkurrje të mirëfilltë të trurit, për shkak të mungesës së informacionit dhe stimulimit.”
Ndikimi mund të përhapet edhe në pjesë të tjera të trurit, duke shkaktuar ndryshime në zonat e lidhura me kujtesën, të cilat kanë lidhje të ngushta me qendrat e dëgjimit.
Sforcimi mendor
Kur tingujt bëhen më të vështirë për t’u dëgjuar, truri duhet të harxhojë më shumë energji për të kuptuar se çfarë po thuhet. Kjo do të thotë se mbeten më pak burime për detyra të tjera, si kuptimi, ruajtja dhe rikujtimi i informacionit.
“Trurit po i hiqni burimet që i nevojiten për të kuptuar informacionin”, shpjegon më tej Dr. Wint. “Kjo krijon një cikël vicioz, ku truri bëhet më pak efikas dhe më pak i saktë.”
Izolimi social
Shumë njerëz me probleme të dëgjimit tërhiqen nga bisedat sepse e kanë të vështirë t’i ndjekin ato. Kur këto ndërveprime pakësohen, izolimi social bëhet shqetësues, pasi ai është një faktor i rëndësishëm rreziku për demencën.
“Kam dëgjuar shumë njerëz të thonë: ‘Nuk përfshihem shumë në biseda sepse nuk arrij të kuptoj se çfarë po ndodh për shkak të dëgjimit tim’”, tregon Dr. Wint. “Kjo lloj tërheqjeje mund të kontribuojë në rënien e funksioneve njohëse.”
Hulumtimet sugjerojnë se njerëzit që janë të izoluar nga shoqëria kanë rreth 50% më shumë rrezik për të zhvilluar demencë, krahasuar me ata që vazhdojnë të jenë aktivë në marrëdhëniet dhe aktivitetet shoqërore.
Privimi afatgjatë nga stimulimi shqisor
Sa më herët të shfaqet humbja e dëgjimit, aq më i madh mund të jetë rreziku që me kalimin e kohës të shfaqen probleme me funksionet njohëse.
“Për dikë që humbet dëgjimin relativisht herët, për shembull në të 40-at ose 50-at, ka gjithnjë e më shumë prova që tregojnë një rrezik më të lartë për demencë”, thotë Dr. Wint. “Ka të ngjarë që kjo të ndodhë sepse truri i nënshtrohet privimit shqisor për një periudhë më të gjatë.”
A mund ta mbrojë trurin trajtimi i humbjes së dëgjimit?
Këtu vjen lajmi i mirë.
“Trajtimi i humbjes së dëgjimit në fakt i mbron njerëzit nga rënia e funksioneve njohëse dhe demenca”, thotë Dr. Wint.
Në një studim të madh të njohur si ACHIEVE, studiuesit ndoqën për tre vjet njerëz me humbje të dëgjimit. Ata që përdorën aparate dëgjimi kishin rreth gjysmën e rrezikut për rënie të funksioneve njohëse, krahasuar me ata që nuk i përdorën.
Si mund ta ulni rrezikun?
Ka disa gjëra që mund të bëni për të mbrojtur njëkohësisht dëgjimin dhe trurin, thotë Dr. Wint.
- Mbroni veshët nga zhurmat e forta: Përdorni mbrojtëse për veshët në koncerte, aktivitete sportive dhe ambiente të tjera të zhurmshme. Edhe tapat e thjeshta prej shkume mund të ndihmojnë në uljen e dëmtimit.
- Mos e injoroni humbjen e dëgjimit: Shumë njerëz presin me vite nga momenti kur vërejnë problemet me dëgjimin deri kur kërkojnë ndihmë. Nëse dyshoni se keni një problem, flisni me një profesionist shëndetësor për të kryer një test dëgjimi. “Ndërhyrja e hershme bën ndryshimin”, thotë Dr. Wint.
- Përdorni aparatet e dëgjimit nëse ju rekomandohen: Aparatet e dëgjimit funksionojnë vetëm kur përdoren. T’i mbani të mbyllura në një sirtar nuk do ta ndihmojë trurin të marrë stimulimin e nevojshëm dhe as nuk do ta përmirësojë komunikimin.
“Ne të gjithë duam të kemi dëgjim të mirë ndërsa plakemi”, thotë Dr. Wint. “Por kur mendoni se çfarë do të thotë dëgjimi për shëndetin tuaj njohës, ai merr edhe më shumë rëndësi. Ia vlen t’i kushtoni vëmendje para se problemi të shfaqet” , sipas Cleveland Clinic.













