Për shumë njerëz, ditët e nxehta sjellin plazh dhe aktivitete në natyrë. Por për ata që vuajnë nga migrena, temperaturat e larta mund të nënkuptojnë edhe një rrezik më të madh për shfaqjen e një krize.
Megjithëse nxehtësia nuk e shkakton migrenën, ajo konsiderohet një nga faktorët që mund të provokojnë simptomat tek personat që janë të prirur ndaj këtij çrregullimi neurologjik.
Migrena karakterizohet nga dhimbje të forta, pulsuese të kokës, të shoqëruara shpesh me ndjeshmëri ndaj dritës dhe zhurmës, të përziera, madje në disa raste edhe me aura. Sipas American Migraine Foundation, më shumë se një miliard njerëz në botë jetojnë me migrenë.
Moti është një nga shkaktarët më të zakonshëm
Shumë persona raportojnë se krizat e migrenës shfaqen më shpesh kur moti ndryshon. Në një studim ku morën pjesë mbi 1.700 persona me migrenë, më shumë se gjysma thanë se kushtet atmosferike ndikojnë në shfaqjen e simptomave, ndërsa rreth një e treta përmendën temperaturat e larta si një nga shkaktarët kryesorë.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se provat shkencore nuk janë plotësisht përfundimtare. Disa studime kanë gjetur një lidhje mes rritjes së temperaturës dhe dhimbjeve të kokës, ndërsa të tjera nuk kanë arritur të konfirmojnë një ndikim të drejtpërdrejtë.
Çfarë ndodh në organizëm?
Një nga arsyet kryesore është dehidratimi. Gjatë vapës trupi humbet më shumë lëngje përmes djersitjes dhe, nëse ato nuk zëvendësohen, rritet rreziku për një krizë migrene.
Edhe ekspozimi ndaj diellit mund të luajë rol. Personat me migrenë shpesh janë më të ndjeshëm ndaj dritës së fortë, ndaj qëndrimi për periudha të gjata në diell mund të përkeqësojë simptomat.
Një tjetër faktor janë ndryshimet në rutinën e përditshme. Gjatë verës është më e lehtë të ndryshojnë oraret e gjumit, të vakteve apo konsumimi i kafeinës. Edhe këto ndryshime mund të ndikojnë tek personat që vuajnë nga migrena.
Edhe lagështia mund të ndikojë
Përveç temperaturës, studiuesit kanë vënë re se edhe lagështia e lartë mund të rrisë gjasat për një krizë migrene gjatë muajve të ngrohtë.
Edhe pse mekanizmi nuk është ende plotësisht i qartë, mendohet se lagështia e vështirëson ftohjen natyrale të trupit. Si rezultat, temperatura trupore mund të rritet, duke krijuar kushte që favorizojnë shfaqjen e migrenës tek personat e ndjeshëm.













