Enj, Qer 4, 2026
Banner Top
Banner Top
Pse po ndihemi gjithnjë e më të vetmuar?

Në një kohë kur mund të komunikojmë me këdo brenda pak sekondash, vetmia po shndërrohet në një nga sfidat më të mëdha sociale dhe shëndetësore të kohës sonë. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se rreth 1 në 6 persona në botë përjeton vetmi, një fenomen që prek njerëz të të gjitha moshave dhe që po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një problem serioz i shëndetit publik.

Ndryshe nga sa mendohet shpesh, vetmia nuk prek vetëm të moshuarit. Sipas OBSH-së, ajo është veçanërisht e përhapur tek adoleshentët dhe të rinjtë. Ekspertët thonë se vetmia nuk lidhet domosdoshmërisht me mungesën e njerëzve përreth, por me mungesën e lidhjeve kuptimplota dhe ndjenjën se nuk ke me kë të ndash mendimet, emocionet apo përvojat e tua.

Pasojat nuk janë vetëm emocionale, hulumtimet tregojnë se vetmia dhe izolimi social lidhen me rritjen e rrezikut për depresion, ankth, sëmundje kardiovaskulare, diabet dhe madje edhe vdekje të parakohshme. Një raport i fundit i OBSH-së vlerëson se vetmia kontribuon në më shumë se 871 mijë vdekje në vit në mbarë botën.

Në vitin 2023, Kirurgu i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Vivek Murthy, e përshkroi vetminë si një “epidemi” moderne, duke paralajmëruar se mungesa e lidhjeve sociale ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin fizik dhe mendor të njerëzve. Sipas raportit të tij, shumë njerëz po përjetojnë një nivel të lartë shkëputjeje nga komuniteti, familja dhe miqtë.

Ekspertët besojnë se një pjesë e problemit lidhet me mënyrën se si po ndryshojnë marrëdhëniet njerëzore. Edhe pse rrjetet sociale na mbajnë të lidhur virtualisht, ato nuk e zëvendësojnë domosdoshmërisht kontaktin e drejtpërdrejtë dhe marrëdhëniet e thella. Në shumë raste, numri i madh i ndjekësve apo kontakteve online nuk përkthehet në ndjenjën e afërsisë dhe mbështetjes emocionale.

Përballë kësaj situate, OBSH u bën thirrje qeverive, institucioneve dhe komuniteteve që të investojnë më shumë në krijimin e hapësirave dhe mundësive që nxisin lidhjet sociale. Sepse, sipas ekspertëve, lidhja me njerëzit e tjerë nuk është luks, por një nevojë themelore njerëzore

Youtube

Arkiva

Kategoritë