Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar për realizimin me sukses të një ndërhyrjeje të avancuar kirurgjikale, duke shënuar një moment të rëndësishëm për sistemin shëndetësor publik në vend.
Sipas spitalit, “për herë të parë në një institucion shëndetësor publik është realizuar me sukses nefrektomia laparoskopike, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt avancimit të kirurgjisë moderne dhe procedurave minimalisht invazive”.
Ky intervenim është realizuar nga urologu Shkëlzen Elezaj, ndërsa spitali thekson se procedura u krye “me profesionalizëm të lartë”.
Në këtë sukses kanë kontribuar edhe ekipet e Repartit të Urologjisë, Repartit të Anestezionit dhe Kujdesit Intensiv, për të cilat institucioni ka shprehur falënderim për punën dhe përkushtimin.
Po ashtu, është veçuar kontributi i kirurgut Naim Loxha, për të cilin spitali thekson “angazhimin, guximin profesional dhe kontributin e çmuar”, si dhe i Liridon Elezaj për mbështetjen profesionale.
Sipas njoftimit, ky zhvillim përfaqëson një hap përpara për shëndetësinë në vend, duke dëshmuar se “me punë, dije dhe përkushtim, shëndetësia jonë vazhdon të ecë përpara”.













