Enj, Maj 14, 2026
Banner Top
Banner Top

A e dini se ne qytetarët e Kosovës jemi vazhdimisht të ekspozuar ndaj tre faktorëve që e shkaktojnë sëmundjen e kancerit të mushkërive. 

Duhani është një nga faktorët kryesor, por kësaj radhe po ndalemi te dy faktorë të tjerë që nuk varen nga ne si qytetarë, azbesti dhe radoni.

Azbesti është një mineral që dikur përdorej kudo në ndërtim dhe izolim. Rreziku i tij fshihet te fibrat mikroskopike. Kur materialet e vjetra dëmtohen, këto fibra çlirohen në ajër. Nëse i thithim, ato mbeten përgjithmonë në mushkëri duke shkaktuar kancer dhe sëmundje të rënda. Për këtë arsye, sot azbesti është rreptësishtë i ndaluar.

Por azbesti është ende i pranishëm në shumë zona ku jetojnë qytetarët e Prishtinës por edhe komunave tjera. Azbesti gjendet ende në shumë çati të ndërtesave të vjetra në kryeqytet. Por përveç çative, azbesti është i pranishëm edhe diku tjetër, në gypat e ujit të cilët i furnizojnë qytetarët me ujë të pijshëm.

Kurse Radoni është një gaz radioaktiv natyror, krejtësisht i padukshëm dhe pa erë, që del nga nëntoka. Rreziku shfaqet kur ai depërton dhe grumbullohet brenda shtëpive apo bodrumeve të paajrosura. Ai është një vrasës i heshtur dhe njihet botërisht si shkaktari i dytë kryesor i kancerit të mushkërive, menjëherë pas duhanit.

Institucionet e shtetit do të duhej t’i eliminonin ose së paku t’i minimizonin për të ulur rrezikun ndaj qytetarëve. Kryetari i komunës së Prishtinës Përparim Rama pati premtuar se azbesti do të hiqet nga ndërtesat kolektive, por ky material është ende mbi çatitë e banesave në lagjen Ulpiana dhe në qendër të qytetit.

Ne kemi kërku sqarime nga komuna për këtë çështje, por nuk marr përgjigje edhe pas rreth 1 muaji. Komuna nuk ka ofruar përgjigje as për çështjen e azbestit dhe as për radonin. Për radonin kemi kërkuar sqarime edhe nga Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi, por as nga ky agjencion nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkaq për gypat e ujit nga materiali i azbestit kemi marr konfirmim nga Kompania Rajonale Prishtina se në këto rrugë Luan Haradinaj, Haxhi Zeka, Tirana, Agim Ramadani, Fehmi Lladrovci, Bill Klinton, Lidhja e Pejes, gypat e ujit ende janë të materialit nga azbesti.

KRU Prishtina kanë deklaruar se janë të informuar se ky material paraqet rrezik për shëndetin e qytetarëve, dhe se janë duke hartuar projektet për zëvendësimin e tyre.

Edhe Kompania Hidroregjioni e cila furnizon me ujë të pijshëm Prizrenin, Suharekën, Malishevën dhe Dragashin kanë konfirmuar se aktualisht kanë rreth 100 kilometra gyp të azbestit në Prizren dhe Dragash, e që është rreth 11% e rrjetit total të kësaj kompanie./GazetaShneta

Youtube

Arkiva

Kategoritë