Mbajtja e peshës së humbur mbetet një nga sfidat më të mëdha për njerëzit që luftojnë me kilogramët e tepërt. Megjithatë, një studim i ri sugjeron se objektivi i famshëm prej 10 mijë hapash në ditë mund të mos jetë i domosdoshëm.
Një rishikim sistematik dhe meta-analizë e realizuar nga studiues në Itali dhe Liban ka zbuluar se rreth 8,500 hapa në ditë mund të jenë të mjaftueshëm për të ndihmuar njerëzit të ruajnë peshën e humbur dhe të shmangin rikthimin e kilogramëve.
Sipas shkencëtarit biomjekësor Marwan El Ghoch, sfida më e madhe në trajtimin e obezitetit nuk është vetëm humbja e peshës, por parandalimi i rikthimit të saj.
“Rreth 80 për qind e njerëzve mbipeshë ose obezë që humbin peshë fillimisht, e rifitojnë atë pjesërisht ose plotësisht brenda tre deri në pesë vitesh”, tha ai.
Çfarë tregoi studimi?
Studiuesit analizuan 18 studime të kontrolluara me randomizim që përfshinin persona mbipeshë ose obezë. Në total, meta-analiza përfshiu të dhëna nga 3,758 të rritur me moshë mesatare 53 vjeç, të ndjekur për rreth 18 muaj.
Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe: një grup ndoqi programe për humbje peshe përmes dietës së shëndetshme dhe rritjes së aktivitetit fizik, ndërsa grupi tjetër vazhdoi stilin normal të jetesës.
Rezultatet treguan se grupi që ndryshoi stilin e jetës humbi mesatarisht 4.4 për qind të peshës trupore gjatë fazës së dobësimit dhe arriti të ruante rreth 3.3 për qind të kësaj humbjeje edhe më vonë.
Sekreti ishte te hapat
Të dhënat zbuluan se pjesëmarrësit që arritën të ruanin peshën kishin rritur ndjeshëm aktivitetin e tyre fizik.
Nga një mesatare prej rreth 7,280 hapash në ditë në fillim të studimit, ata arritën në afro 8,500 hapa gjatë fazës së humbjes së peshës dhe e ruajtën këtë nivel edhe më pas.
Në anën tjetër, grupi i kontrollit nuk pati ndryshime të mëdha në numrin e hapave dhe as humbje domethënëse në peshë.
Sipas studiuesve, kjo tregon se aktiviteti fizik i përditshëm luan rol kyç sidomos pas humbjes fillestare të kilogramëve.
Një objektiv më realist
Ekspertët thonë se objektivi prej 8,500 hapash në ditë është më praktik dhe më i arritshëm për shumicën e njerëzve sesa synimi tradicional prej 10 mijë hapash.
“Rritja e numrit të hapave në rreth 8,500 në ditë është një strategji e thjeshtë dhe e përballueshme për të parandaluar rikthimin e peshës”, theksoi El Ghoch.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se nevojiten kërkime të tjera për të përcaktuar me saktësi pragun ideal të aktivitetit fizik për ruajtjen afatgjatë të peshës.












