Mar, Maj 12, 2026
Banner Top
Banner Top
Ndikimi i Stresit në Sistemin Nervor – Intervistë me Neurologun Milaim Krasniqi

Shkruan: Krenare Hoti

Stresi është bërë pjesë e përditshmërisë së shumë njerëzve dhe shpesh perceptohet vetëm si një gjendje emocionale apo psikologjike. Megjithatë, ndikimi i tij mund të shtrihet edhe në funksionimin e sistemit nervor, duke u shfaqur me simptoma si lodhje, marramendje, mpirje, dridhje, çrregullime të gjumit apo ndjesi ankthi.

Këto shenja, në disa raste, mund të jenë të lidhura me stresin, por në raste të tjera mund të tregojnë probleme neurologjike që kërkojnë vëmendje mjekësore.

Për të kuptuar më qartë se si ndikon stresi në sistemin nervor, cilat simptoma mund të shkaktojë dhe kur duhet të kërkohet ndihmë profesionale, kemi realizuar një intervistë me neurologun Milaim Krasniqi.

Në këtë bisedë, ai shpjegon dallimin mes simptomave që lidhen me stresin dhe atyre neurologjike, rolin e gjumit, ankthit dhe stresit emocional, si dhe shenjat paralajmëruese që nuk duhen neglizhuar.

Si fillim, mjeku na shpjegon se si pasojë e stresit të vazhdueshëm kemi rritje të hormoneve të stresit, veçanërisht kortizolit. Nivelet e larta të kortizolit mund të ndikojnë negativisht në disa zona të trurit të cilat janë përgjegjëse për përpunimin dhe mësimin e kujtesës, funksionin ekzekutiv, kontrollin emocional dhe vendimmarrjen, zhvillimin e çrregullimeve mendore, duke përfshirë depresionin dhe ankthin.
Stresi afatgjatë mund të shkaktojë ndryshime neurokimike në tru, duke ulur nivelet e neurotransmetuesve si serotonina, dopamina dhe norepinefrina, të cilët janë të rëndësishëm për humorin dhe motivimin.

Gjthashtu, mjeku thekson se njerëzit që përjetojnë stres kronik shpesh kanë probleme në organizimin e mendimeve të tyre, marrjen e vendimeve dhe zgjidhjen e problemeve. Gjithashtu, stresi kronik ndikon edhe në rregullimin e cikleve gjumë-zgjim, duke çuar në pagjumësi kronike ose gjumë të cekët dhe të çrregullt.

Tutje, mjeku tregon se marramendja, mpirja dhe dridhjet janë simptoma të shpeshta fizike të stresit të lartë ose ankthit.

Kurse, sa i përket dallimit të simptomave të stresit me ato neurologjike, Dr. Krasniqi shpjegon se dallimi i simptomave të stresit nga ato neurologjike mund të bëhet duke u bazuar në intensitetin, kohëzgjatjen dhe natyrën e tyre. Simptomat fizike dhe emocionale nga stresi shpesh vijnë dhe shkojnë për kohë të shkurtër pa bazë organike të dëmtimit, ndërsa ato neurologjike gjithmonë lidhen me dëmtime të ndryshme të trurit apo fijeve nervore dhe janë simptoma të cilat zgjasin në kohë dhe vërehen deficitet neurologjike.

Sidoqoftë, neurologu thekson se përkundër stresit, në ato raste kur kemi dhimbje koke të përnjëhershme dhe shumë të fortë, humbje të vetëdijes, vështirësi në të folur, dobësim i njërës anë të trupit, humbje e ekuilibrit me vështirësi qëndrimi në këmbë e cila paraqitet përnjëherë dhe zgjatë pa u përmirësuar.

E krejt në fund, neurologu Krasniqi na tregon se stresi ndikon në shfaqjen e problemeve me gjumin, pastaj në shfaqjen e ankthit dhe të gjitha këto ndikojnë negativisht në trurin e njeriut dhe përkeqësojnë apo shfaqin simptoma neurologjike, si humbje e kujtesës dhe rënie kognitive, përqendrim i dobët dhe vështirësi në vendimmarrje, si dhe rrezik më të lartë për shfaqjen e sëmundjeve neurodegjenerative.

Youtube

Arkiva

Kategoritë