Gjinekologia Drita Kabashi, në emisionin Familja Jonë, ka diskutuar gjerësisht për kancerin e qafës së mitrës dhe infeksionin HPV, duke vënë theks të veçantë te rëndësia e parandalimit, kontrolleve të rregullta dhe diagnostikimit të hershëm.
Ajo ka bërë të ditur se kanceri i qafës së mitrës vazhdon të mbetet një nga sëmundjet më të shpeshta që prek gratë, ndërsa ka theksuar se kontrollet gjinekologjike janë mënyra më e mirë për ta zbuluar sëmundjen në fazat fillestare. Sipas saj, diagnostikimi i hershëm rrit dukshëm mundësitë për trajtim të suksesshëm dhe shmang komplikimet serioze që mund të shfaqen në fazat më të avancuara të sëmundjes.
Kabashi ka treguar se grupmosha më e rrezikuar nga kanceri i qafës së mitrës janë gratë nga mosha 30 deri në 50-vjeçare, megjithëse rastet po shfaqen gjithnjë e më shpesh edhe te moshat më të reja.
“Po, sidomos gratë prej moshës 30 deri në moshën 50-vjeçare, por tash për shkak të kualitetit të jetës, për shkak të infeksioneve që janë më të disponueshme, mundësitë janë për infeksione të ndryshme”, shpjegon Kabashi.
Ajo ka folur edhe për infeksionin HPV, i cili konsiderohet si një ndër faktorët kryesorë që lidhen me zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës. Sipas saj, shumë gra mund të jenë bartëse të virusit pa pasur simptoma të dukshme, prandaj kontrollet e rregullta janë të domosdoshme.
Gjinekologia ka këshilluar që vajzat nga mosha 18-vjeçare, të cilat janë seksualisht aktive, të kryejnë PAP testin të paktën një herë në vit. Ajo ka theksuar se ky test është shumë i rëndësishëm për identifikimin e ndryshimeve të hershme në qelizat e qafës së mitrës, para se ato të zhvillohen në kancer.
Sipas Kabashit, qëllimi kryesor i PAP testit është zbulimi i hershëm i çdo ndryshimi të dyshimtë në qeliza, në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes dhe dëmtimi i mëtejshëm i indeve.
“Qëllimi i PAP testit është një qelizë ku vërehet se diçka veçse ka filluar me ndryshu. Atë ne po duam ta zbulojmë që të mos vazhdojë ajo ta prishë strukturën normale të qelizave që ndodhen në qafën e mitrës. Ndërsa kur e shohim përmes ultrazërit, atëherë është vonë”, ka thënë ajo.
Kabashi ka apeluar te gratë që të mos neglizhojnë kontrollet gjinekologjike dhe të kërkojnë ndihmë profesionale sa herë që kanë shqetësime apo simptoma të pazakonta.
Intervistën e plotë, ku Kabashi flet më gjerësisht dhe jep këshilla e informacione në lidhje me kancerin e qafës së mitrës dhe infeksionin HPV, mund ta gjeni në videon më poshtë.













