Mër, Maj 6, 2026
Banner Top
Banner Top
Si t’i mbështetni fëmijët me obezitet drejt një zhvillimi më të shëndetshëm – intervistë me psikologen Elena Gashi

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), obeziteti është një sëmundje kronike që mund të rikthehet dhe ndikohet nga gjenetika, mënyra e të ushqyerit dhe mjedisi.

Sipas të dhënave të kësaj organizate, në vitin 2024 rreth 35 milionë fëmijë nën moshën 5 vjeç rezultonin mbipeshë.

“Dikur konsiderohej problem i vendeve me të ardhura të larta, por sot mbipesha është në rritje edhe në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme”, shpjegon OBSH-ja.

Në një intervistë për “Familja Jonë”, Elena Gashi, psikologe për fëmijë nga Instituti për shërbime psikologjike- sociale “Visar Sadiku”, thekson rëndësinë e mbështetjes psikologjike në moshë të hershme për fëmijët që përballen me obezitetin.

Sipas saj, fëmijëria është periudha kyçe kur formohet mënyra se si fëmija e percepton veten dhe si përballet me sfidat emocionale.

Sipas Gashit, mbështetja e duhur emocionale ndihmon fëmijën të zhvillojë vetëbesim, të kuptojë më mirë ndjenjat e tij dhe të krijojë një marrëdhënie më të shëndetshme me ushqimin dhe trupin.

“Kur një fëmijë përballet me komente negative, stereotipe apo trajtim të padrejtë për shkak të pamjes së trupit, ai mund të fillojë të krijojë një perceptim negativ për veten.”, shpjegon Gashi, duke shtuar se kjo shpesh shoqërohet me ndjenja turpi, pasigurie dhe vështirësi në ndërtimin e një imazhi pozitiv për trupin. Literatura shkencore, sipas saj, tregon se stigmatizimi lidhet ngushtë me uljen e vetëvlerësimit dhe rritjen e stresit emocional tek fëmijët.

Ndikimi i presionit social në sjelljet ushqimore dhe aktivitetin fizik

Një tjetër aspekt i rëndësishëm lidhet me ndikimin e mjedisit social në sjelljet e fëmijëve. Psikologia Gashi shpjegon se përvojat negative në shkollë apo në rrethin shoqëror mund të ndikojnë drejtpërdrejt në marrëdhënien e fëmijës me ushqimin dhe aktivitetin fizik.

Sipas saj, presioni apo tallja nga bashkëmoshatarët shpesh shkakton stres emocional dhe pasiguri.

“Në disa raste, fëmijët mund të ndryshojnë mënyrën e të ushqyerit si reagim ndaj emocioneve të vështira, ndërsa në raste të tjera mund të hezitojnë të marrin pjesë në aktivitete fizike nëse ato lidhen me përvoja të pakëndshme sociale.”, thotë ajo.

Gashi thekson gjithashtu se fëmijët me obezitet shpesh përballen me pasoja psikologjike në mjediset shkollore dhe sociale, ku perceptimi i trupit bëhet burim pasigurie.

“Këto mund të përfshijnë ndjenja pasigurie për trupin e tyre, ndjesinë se nuk janë si të tjerët, vështirësi në vetëvlerësim dhe ndonjëherë ndjenjë përjashtimi nga grupi.”, shpjegon ajo.

Si pasojë, disa fëmijë mund të tërhiqen nga ndërveprimet sociale ose të bëhen më të vetëdijshëm për pamjen e tyre gjatë aktiviteteve në grup.

Roli i prindërve dhe shkollës në mbështetjen e fëmijëve

Për ta bërë këtë proces më të lehtë për fëmijët, Gashi ndan disa këshilla praktike për prindërit dhe kujdestarët:

  • Një praktikë shumë e efektshme që prindërit mund të përdorin është vendosja e objektivave të vogla dhe të arritshme për zakonet e përditshme të fëmijës. Për shembull, prindërit mund të vendosin që çdo vakt familjar të përfshijë një porcion frutash dhe perimesh, ose të bëjnë një aktivitet të përbashkët fizik disa herë në javë, si ecje në park ose lojëra aktive në oborr.

Sipas Gashit, kjo qasje ndihmon fëmijën të ndërtojë zakone të qëndrueshme dhe ta shohë ndryshimin si diçka të realizueshme.

  • Një praktikë e tjetër sipas Gashit, është përforcimi pozitiv i sjelljeve të shëndetshme. Kjo do të thotë të lavdërosh përpjekjet e fëmijës, p.sh. kur zgjedh të hajë ushqime të shëndetshme ose merr pjesë në aktivitet fizik, duke përforcuar përkushtimin dhe jo vetëm rezultatin.
  • Një psikolog mund të ndihmojë fëmijët të kuptojnë emocionet dhe presionin social, ndërsa një nutricionist mund të japë këshilla praktike për ushqim të shëndetshëm. Edhe mësuesit mund të organizojnë aktivitete argëtuese që përfshijnë të gjithë nxënësit, pa krahasime ose presion.

“Flisni hapur me fëmijën për trupin e tij dhe ndjenjat që lidhen me të. Kur ai ndjen që mund të shprehë shqetësimet pa u gjykuar, ndjehet më i qetë dhe më i sigurt, dhe kjo i ndihmon të ndërtojë një marrëdhënie pozitive me trupin e vet.” përmbyll Gashi.

Youtube

Arkiva

Kategoritë