Kosova ka shënuar ngritje në Indeksin vjetor të lirisë së medias të Reporterëve pa Kufij.
Raporti i publikuar më 30 prill të këtij viti e rendit Kosovën në vendin e 84-të në botë, me 55.89 pikë, 3 më shumë se një vit më parë.
“Ndërsa tregu mediatik në Kosovë është i larmishëm, zhvillimi i tij kufizohet nga madhësia e vogël dhe ndarjet etnike. Liria e medias kërcënohet nga rregullimi i politizuar, paditë SLAPP, qasja e pamjaftueshme në informacion publik dhe rreziqet për sigurinë e gazetarëve.” cilëson ky raport.
Reporti thekson se edhe pse media arrin t’i mbajë politikanët përgjegjës, gazetarët vazhdojnë të jenë objekt i sulmeve politike.
“Rregullatori joefektiv i medias, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), iu nënshtrua një reforme ligjore që u vlerësua jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Para zgjedhjeve të përgjithshme në fillim të vitit 2025, disa media private u shënjestruan nga një bojkot i qeverisë, e cila gjithashtu kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik RTK. ” vlerëson raporti duke shtuar se mediat në gjuhën serbe, të cilat janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasjen në informacion publik, veçanërisht në gjuhën e tyre, që është gjuhë e pakicës.
Megjithëse Reporterët pa Kufij kanë parë progres duke thënë se sistemi gjyqësor ka filluar t’i trajtojë si prioritare rastet që lidhen me gazetarët, si shqetësim është ngritur çështja se gjithnjë e më shumë gazetarë po përballen me padi SLAPP të iniciuara nga grupe biznesi dhe politikanë.
Sipas raportit, qasja në informacion publik është penguar nga zbatimi i dobët i ligjit kurse në praktikë, as ligji për të drejtën e autorit nuk respektohet si duhet.
Si sfidë tjetër raportit hekson edhe kontekstin ekonomik ku media financohet kryesisht nga të ardhurat e reklamave nga sektori privat dhe ndonjëherë mbështetet edhe nga autoritetet komunale ose partitë politike.
“Për më tepër, përmes pronarëve të tyre, redaksitë e mediave private janë të ekspozuara ndaj ndërhyrjeve nga grupe të fuqishme politike ose biznesi. Mediat në gjuhën serbe përballen me sfidën shtesë të një tregu të vogël, ku disa prej tyre varen nga financimi nga Serbia fqinje, ndërsa mediat e pavarura nuk do të mbijetonin pa mbështetje ndërkombëtare.” thuhet në raport.
Gjetjet e Reporterëve pa Kufij theksojnë se mediat e pavarura dhe gazetarët hulumtues shpesh janë objekt i fyerjeve dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale.
“Ata akuzohen padrejtësisht për “bashkëpunim me armikun”, një retorikë e përdorur nga grupe politike dhe fetare.” thuhet në raport.













