Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka iniciuar formimin e një Shtabi Emergjent.
Për këtë ka njoftuar vetë QKUK-ja duke treguar se ky veprim është ndërmarrë pas situatës së krijuar nga prania e qenve endacakë brenda kampusit të institucionit dhe pas disa rasteve të fundit të kafshimeve të raportuara.
“Qëllimi i këtij shtabi është të sigurojë mbrojtjen e menjëhershme të pacientëve, stafit shëndetësor, vizitorëve dhe qytetarëve, përmes koordinimit ndërinstitucional dhe zbatimit të masave urgjente për identifikimin, kontrollin, largimin dhe parandalimin e rrezikut nga qentë endacakë.” thuhet në njoftim.
Shtabi Emergjent përbëhet nga përfaqësues të strukturave të brendshme të QKUK-së, përfshirë drejtues institucionalë, përfaqësues nga Klinika Emergjente, Zyra Ligjore, si dhe Shërbimi i Sigurimit dhe zjarrfikësve.
QKUK-ja ka theksuar se në këtë mekanizëm janë përfshirë edhe institucionet relevante jashtë QKUK-së, si Komuna e Prishtinës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Policia e Kosovës, kompania kontraktuese për trajtimin e qenve endacakë, Inspektorati komunal, si dhe organizata të licencuara për mbrojtjen e kafshëve.













