Në kuadër të shënimit të Javës Botërore të Imunizimit, në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Bedri Gjinaj” në Mitrovicë u mbajt një aktivitet sensibilizues dhe informues me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), Komunës së Mitrovicës, organizatave partnere ndërkombëtare, profesionistëve shëndetësorë, prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve.
Gjatë aktivitetit u zhvillua një sesion vaksinimi për nxënësit e klasave të gjashta, ku u administrua edhe vaksina kundër HPV-së, pjesë e kalendarit të rregullt të vaksinimit në Kosovë.
Po ashtu IKSHPK-ja ka njoftuar se u zhvilluan edhe diskutime me prindër, nxënës dhe staf arsimor mbi rëndësinë e vaksinimit si një ndër mënyrat më efikase për parandalimin e sëmundjeve dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
“Gjatë bashkëbisedimit me prindër dhe nxënës, u nënvizua se vaksinat janë të sigurta, efektive dhe përbëjnë një investim të rëndësishëm për shëndetin e fëmijëve dhe të komunitetit. U vlerësua gjithashtu puna e profesionistëve shëndetësorë dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë në avancimin e programit të imunizimit në vend.” thuhet në njoftim.
Sipas IKSHPK-së, ky aktivitet shërbeu si thirrje për veprim të përbashkët për promovimin e vaksinimit dhe rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen nga sëmundjet e parandalueshme me vaksina.














