Sht, Pri 4, 2026
Banner Top
Banner Top

Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e sotme projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

Gjatë prezantimit të projektligjit, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia tha se kjo nismë synon të vendosë bazat për një sistem më të organizuar dhe funksional të financimit në shëndetësi.

Sipas tij, projektligji vjen pas një procesi të gjatë diskutimesh dhe analizash, ku janë shqyrtuar sfidat ekzistuese të sistemit shëndetësor dhe janë marrë në konsideratë praktikat ndërkombëtare, me qëllim përshtatjen e modelit me realitetin ekonomik dhe social në vend.

“Një nga iniciativat më të rëndësishme për të ardhmen e shëndetësisë në vendin tonë, projektligjin për sigurimin detyrueshëm në kujdesin shëndetësor, është me rëndësi të veçantë. Ky ligj vjen pas një periudhe të gjatë diskutimesh, janë analizuar me kujdes sfidat që ka sistemi ynë shëndetësor, janë studiuar praktikat ndërkombëtare për të krijuar një ligj që i përgjigjet nevojave të qytetarëve tanë, dhe një ligj që do jetë i zbatueshëm për realitetin tonë ekonomik dhe social. Pas mbi 10 vjetësh, ky projektligj përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të sigurimeve shëndetësore” tha ministri Vitia.

Me këtë projektligj parashihet themelimi i fondit të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor të Republikës së Kosovës, i cili do të rregullojë funksionimin dhe financimin e sistemit.

“Me këtë ligj themelohet fondi i sigurimit detyrues shëndetësor të Republikës së Kosovës. Funksioni dhe financimi i këtij fondi, me projektligjin për sigurimin detyrues të kujdesit shëndetësor, do të rregullojë çështjet si në vijim: ky ligj e përfshin gjithë popullatën, duke siguruar qasje universale në shërbimet shëndetësore, si dhe ngritjen e cilësisë” u shpreh tutje Vitia.

Po ashtu, sipas tij, projektligji krijon bazë për zhvillimin e mekanizmave të rinj të financimit në shëndetësi, me synim mbulimin universal dhe uljen e barrës financiare për qytetarët, përfshirë ndikimin në zvogëlimin e varfërisë dhe pabarazisë që lidhet me shpenzimet për shërbime shëndetësore.

Youtube

Arkiva

Kategoritë