Të hënën e 30 marsit, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dekoroi pas vdekjes me Medaljen Presidenciale të Meritave Prof. Dr. Mandushe Dobruna – Berisha.
Mandushe Dobruna – Berisha e cila ishte gruaja e parë Doktor të Shkencave në Kosovë, u dekorua për kontributin e saj në zhvillimin e arsimit universitar dhe shkencës në Kosovë.
Përmes një njoftimi, vajza e saj, internistja, endokrinologia dhe diabetologia Venera Berisha – Muharremi, është shprehur se Mandushe Dobruna Berisha ishte një grua pioniere, kosovarja e parë doktor shkence, e cila ia kushtoi tërë jetën arsimit të lartë dhe Universitetit të Prishtinës, në themele dhe duke edukuar e frymëzuar breza të tërë studentësh.

“Ajo ishte shtyllë, shembull dhe udhërrëfyese e familjës tonë, dhe sot besoj do krenohej që jemi të tre ne fëmijët e saj poashtu Profesorë të Universitetit të Prishtinës në Fakultete të ndryshme të tij, dhe kontribojmë në arsimimin e lartë të brezave të rinj së bashku me bashkëshortët tonë, vendin ku ajo e ka konsideruar shtëpi të shenjtë!” është shprehur Berisha – Muharremi.
Tutje Berisha Muharremi ka shtuar se trashëgimia e Mandushe Dobruna Berishës jeton përtej në çdo student që ajo ka ndihmuar, në çdo vlerë që ajo ka përcjellë dhe në çdo kujtim që mbajnë të gjithë për të.













