Psikiatri Bujar Berisha nga Spitali për Trajtimin e Varësive “Rezonanca 3” paralajmëron për rreziqet që sjell konsumimi i drogës për gjendjen fizike dhe mendore të përdoruesve të lëndëve narkotike. Ai bën thirrje që këta persona të kërkojnë ndihmë sa më shpejt, duke theksuar se pasojat mund të jenë fatale nëse varësia nga substancat nuk trajtohet me kohë.
“Trajtimi me kohë, kur thuhet, është mirë sepse në çdo kohë kur prezantohet, e ka bërë hapin e parë, atë hapin e madh. Qoftë nëse i ka bërë 10 vjet, 20 vjet apo 3 muaj abuzim, ai tashmë është i varur nga droga me të cilën e merr”, shpjegon Berisha.
Ai tregon se varësia lidhet me rritjen e tolerancës ndaj një droge, ku dozat fillestare nuk e kanë më efektin e njëjtë.
“Kjo do të thotë se, nëse e marrim për shembull kokainën, nëse një person brenda një muaji ka marrë 1 gram, pas një muaji duhet të shtohen dozat për të arritur efektin e njëjtë, atë kënaqësinë ose diçka tjetër”, thotë ai.
Sipas Berishës, kjo tregon rritje të tolerancës.
“Me rritjen e tolerancës, varësia theksohet më shumë. Me theksimin e varësisë, atëherë humbet kontrolli dhe njerëzit marrin aq shumë sa që mund të mbidozohen.”
Ai thekson se organet më të prekura janë mëlçia dhe zemra, ndërsa përdorimi i drogave mund të shkaktojë infarkte akute të menjëhershme dhe dëmtime psikologjike e organike të trurit.
“Mbidoza është problematika kryesore e marrjes së drogave, e cila çon në vdekje të menjëhershme”, paralajmëron ai.
Në Spitali për trajtimin e varësive – Rezonanca 3, ofrohet trajtimi i avancuar për varësinë nga droga dhe alkooli. Me një ekip ekspertësh, ata mbështesin pacientët në çdo hap të udhëtimit të tyre drejt shërimit.
Në videon më poshtë do të gjeni rrëfimet e disa personave të varur nga droga që po trajtohen në këtë spital.
Aty shpjegohet se si zhvillohen seancat grupore me këta pacientë, si ata ndajnë eksperiencat e tyre dhe si trajtohen sfidat e përditshme që sjell varësia.
Këto rrëfime nisin nga momenti kur filluan të konsumojnë substancat narkotike, vijojnë me pasojat dhe problemet që këto droga u kanë shkaktuar, dhe përfundojnë me rrugëtimin e tyre drejt kërkimit të ndihmës dhe trajtimit profesional.













