Venera Berisha-Muharremi, interniste-endokrinologe dhe diabetologe, ka folur në emisionin Familja Jonë lidhur me tiroiditin autoimun Hashimoto dhe trajtimin e tij me fotobiomodulim.
Gjatë intervistës, ajo dha këshilla të qarta mbi ushqimet që duhet të shmangen dhe ato që duhet të konsumohen nga personat me këtë gjendje.
“Studimet e 10 viteve të fundit kanë treguar se pacientët që kanë eliminuar glutenin dhe sheqerin – veçanërisht sheqerin – nga dieta e përditshme kanë pasur rezultate jashtëzakonisht të mira,” tha Berisha-Muharremi.
Ajo theksoi se pacientët e saj që ndalojnë glutenin dhe sheqerin dhe fillojnë trajtimin me fotobiomodulim, shfaqin përmirësime të dukshme në kontrollin e ardhshëm:
“Pacientët që fillojnë këtë kombinim vijnë krejt të ndryshëm në kontrollin tjetër. Largimi i këtyre dy elementëve bën mrekulli,” shpjegoi ajo.
Sa i përket ushqimeve që ndihmojnë shëndetin e personave me Hashimoto, ajo veçoi ushqimet e detit dhe periet.
“Nuk kërkohet asnjë sakrificë e madhe, vetëm të kthehen tek ushqimi i shëndetshëm, dhe kjo është diçka që është provuar,” përfundoi Berisha-Muharremi.
Në videon më poshtë mund të ndiqni intervistën e plotë, ku ajo flet për trajtimin me laser të tiroiditit autoimun Hashimoto dhe ndan këshilla të rëndësishme për personat që jetojnë me këtë gjendje shëndetësore.











