Oda e Stomatologëve të Kosovës ka themeluar Komisionin Profesional të Ekspertëve, i cili do të hartojë një opinion profesional lidhur me kompetencat e stomatologëve në trajtimet estetike në rajonin perioral dhe oro-facial.
Ky komision do të analizojë kornizën ligjore në Kosovë, do të shqyrtojë praktikat në vendet e rajonit dhe në Bashkimin Evropian, si dhe do të vlerësojë kushtet në të cilat stomatologët mund të përfshihen në trajtime estetike jo-kirurgjikale.
Në këtë drejtim, OSK pritet të japë opinion profesional për Ministrinë e Shëndetësisë, të propozojë standarde dhe trajnime të detyrueshme, si dhe të kontribuojë në hartimin e akteve nënligjore.
Këto vendime u morën në mbledhjen e Kuvendit të Odës së Stomatologëve të Kosovës, ku u trajtuan edhe çështje të tjera me rëndësi për funksionimin e institucionit.
Në këtë mbledhje u miratua raporti njëvjeçar i punës për periudhën janar–dhjetor 2025, raporti financiar për vitin 2025, si dhe u prezantua raporti i auditorit për auditimin financiar dhe funksional të Odës.
Po ashtu, kryetari i Odës, Prof. Dr. Blerim Kamberi, njoftoi për hartimin e një udhëzuesi për menaxhimin e emergjencave mjekësore në praktikën stomatologjike, i cili pritet të publikohet së shpejti dhe do të jetë i qasshëm për profesionistët në formë elektronike.
Kuvendi i OSK-së vlerësoi se këto vendime përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt avancimit të profesionit dhe rritjes së standardeve në praktikën stomatologjike në vend.










