Komuna e Prishtinës ka njoftuar se raporti i sigurisë i realizuar në shkollat e Kryeqytetit nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka treguar se rreth 50% e shkollave kanë çështje të sigurisë ku duhet të intervenohet.
Njoftimi ka bërë të ditur se kreu i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, këtë raport e ka prezantuar në një takim me drejtorët e të gjitha shkollave të kryeqytetit, Policinë e Kosovës, zjarrëfiksat dhe drejtorët komunalë, atë të Arsimit, Inspekcionit, Investimeve Kapitale, Transformimit, Mobilitetit, Shërbimeve Publike, si dhe Sigurisë dhe Emergjencave.
“Qëllimi i këtij takimi është që ta shqyrtojmë në detaje raportin e sigurisë dhe të identifikojmë menjëherë hapat konkretë që duhet të ndërmerren. Në këtë proces, çdo drejtori do të marrë përgjegjësitë që i takojnë sipas fushës së saj, ndërsa një pjesë e masave do të adresohen edhe nga vetë menaxhmentet e shkollave.” thuhet në njoftimin e komunës.
Tutje komuna ka theksuar se siguria në shkolla është një përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore.
“Zero kompromis kur është në pyetje siguria e fëmijëve tanë.” – është thënë në njoftim.












