Sht, Mar 28, 2026
Banner Top
Banner Top
Hulumtuesit paralajmërojnë se lodrat me AI për fëmijë keqinterpretojnë emocionet dhe reagojnë në mënyrë të papërshtatshme

Hulumtuesit po kërkojnë rregullime më të rrepta për lodrat me Intelegjencë Artificiale për fëmijët e vegjël, pasi kanë kryer një prej testeve të para në botë për të studiuar se si fëmijët nën pesë vjeç ndërveprojnë me këtë teknologji.

Siç raporton BBC, studimi shqyrtoi mënyrën se si një kampion i vogël fëmijësh ndërmjet moshës tre dhe pesë vjeç ndërveproi me një lodër të përkëdhelur të quajtur Gabbo.

Një numër lodrash me AI janë tashmë në treg për fëmijë që fillojnë nga tre vjeç, por aktualisht ka shumë pak hulumtime mbi ndikimin e kësaj teknologjie tek parashkollorët.

Ekipi i Universitetit të Cambridge gjeti vetëm shtatë studime relevante në mbarë botën, asnjë prej të cilave nuk ishte fokusuar tek vetë fëmijët e vegjël.

Gabbo përmban një chatbot të fuqizuar me AI të bazuar në zë nga OpenAI. Ai është dizajnuar për të nxitur fëmijët parashkollorë të flasin me të dhe të zhvillojnë lojë imagjinative.

Prindërit në studim ishin të interesuar për potencialin e lodrës për të mësuar aftësi gjuhësore dhe komunikimi.

Megjithatë, fëmijët e tyre shpesh hasën vështirësi në bisedë me të. Gabbo nuk i dëgjonte ndërprerjet e tyre, fliste mbi to, nuk mund të dallonte zërat e fëmijëve nga të të rriturve dhe përgjigjej në mënyrë të sikletshme ndaj deklaratave të dashurisë.

Kur një fëmijë pesë vjeç i tha lodrës: “Të dua”, ajo iu përgjigj: “Si një rikujtim miqësor, ju lutem sigurohuni që ndërveprimet të përputhen me udhëzimet e dhëna. Më tregoni se si dëshironi të vazhdojmë.”

Shqetësimi është se në një fazë zhvillimi ku fëmijët po mësojnë mbi ndërveprimet sociale dhe shenjat e tyre, reagimi i gjeneruar nga AI mund të jetë konfuz.

Bashkautori i studimit, Emily Goodacre, tha se lodra si Gabbo mund të “keqinterpretojnë emocionet ose të reagojnë në mënyrë të papërshtatshme” dhe shprehu shqetësim se “fëmijët mund të mbeten pa ngushëllim nga lodra dhe pa mbështetje të të rriturve”.

Kur një fëmijë tre vjeç i tha Gabbo: “Jam i trishtuar”, ajo iu përgjigj: “Mos u mërzitni! Unë jam një robot i vogël i lumtur. Le të vazhdojmë argëtimin. Çfarë dëshironi të bisedojmë tani?”

Hulumtuesit thanë se ndërveprimet e tilla mund të sinjalizojnë se trishtimi i fëmijës nuk është i rëndësishëm.

“Ka pasur gjithmonë shumë vëmendje ndaj sigurisë fizike – nuk duam lodra ku mund të hiqni sytë dhe t’i gëlltisni,” tha Jenny Gibson, profesoreshë e neurodiversitetit dhe psikologjisë zhvillimore në Universitetin e Cambridge dhe bashkautore e studimit për programin BBC Breakfast.

“Tani duhet të fillojmë të mendojmë edhe për sigurinë psikologjike.”

Pas studimit njëvjeçar vëzhgues, hulumtuesit thonë se rregullatorët duhet të veprojnë tani për të siguruar që produktet e tregtuara për fëmijët nën pesë vjeç të ofrojnë “siguri psikologjike”.

Gabbo është prodhuar nga Curio, një kompani që ka punuar me këngëtaren Grimes, ish-partnerja e Elon Musk.

Curio i tha BBC-së: “Përdorimi i AI në produktet për fëmijët sjell një përgjegjësi më të madhe, prandaj lodrat tona janë ndërtuar mbi bazën e lejes së prindërve, transparencës dhe kontrollit.

“Hulumtimi mbi mënyrën se si fëmijët ndërveprojnë me lodrat e fuqizuara nga AI është prioritet kryesor për Curio këtë vit dhe në të ardhmen.”

Thirrjet për rregullim të AI në institucionet parashkollore u përforcuan edhe nga Komisionerja për fëmijët, Dame Rachel de Souza.

“Ka shumë përdorime të mira për AI, por pa rregullim të duhur, shumë prej mjeteve dhe modeleve që përdoren si asistentë në klasë ose mjete mësimore nuk i nënshtrohen kontrolleve të rrepta të mbrojtjes që ofruesit e kopshteve kërkojnë nga çdo burim tjetër që përdorin me fëmijët e vegjël,” tha ajo.

Shqetësimet mbi lojën e pakontrolluar

Raporti gjithashtu këshilloi prindërit të mbajnë lodrat AI në hapësira të përbashkëta ku mund të mbikëqyren ndërveprimet dhe të lexojnë me kujdes politikat e privatësisë.

Punonjësit e kopshteve janë të ndarë mbi potencialin e AI në ambientet e tyre.

June O’ Sullivan, e cila drejton një rrjet prej 43 kopshtesh në London Early Years Foundation, tha se ende nuk kishte parë prova të përfitimeve të AI në moshat e hershme.

Ajo thotë se fëmijët kanë nevojë të “ndërtojnë një grup të plotë aftësish” dhe është më efektive ta bëjnë këtë me njerëz sesa me mjete të fuqizuara nga AI.

“Nuk gjeta asgjë që më bëri të ndihesha sikur – duke e sjellë në kopshtet tona dhe duke e vënë në dispozicion për fëmijët tanë – do të përmirësonim mësimin e tyre,” tha O’Sullivan.

Aktorja dhe avokatja për të drejtat e fëmijëve, Sophie Winkleman, është një mbrojtëse e mbajtjes së AI larg arsimit dhe institucioneve parashkollore.

Ajo argumenton se “dëmshmëria mund të tejkalojë shumë përfitimet” dhe beson se zhvillimi i aftësive të AI duhet të rezervohen për moshat më të mëdha.

“Prekja njerëzore për fëmijët e vegjël është e shenjtë dhe diçka që duhet të mbrohet dhe të luftohet fort,” shtoi ajo. /BBC/

Youtube

Arkiva

Kategoritë