Një intervenim i ndërlikuar kirurgjik është realizuar me sukses në Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ku mjekët kanë hequr tumor rreth 4 kilogramë.

Siç ka njoftuar spitali, pacientja me inicialet Sh.K. (e lindur në vitin 1968) u pranua në repartin e Kirurgjisë me ankesa për dhimbje të forta, fryerje të barkut dhe pengesa serioze në tretje (obstipacion).
Pas ekzaminimeve të detajuara imazherike dhe laboratorike, ekipi mjekësor e diagnostikoi pacienten me Tumor Permagna abdominis (tumor me përmasa shumë të mëdha në bark, rreth 4 kilogramë). Po ashtu, ajo kishte edhe Peritonitis serosa (inflamacion i membranës së barkut me grumbullim lëngu).

Për shkak të rrezikut dhe përmasave të masës tumorale, u vendos për ndërhyrje të menjëhershme kirurgjike. Operacioni konsistoi në Extirpatio tumoris in toto (heqjen e plotë të tumorit), eksplorimin e hollësishëm të zgavrës së barkut, pastrimin (lavazhin) dhe vendosjen e drenazhit.
Gjatë operacionit, ekipi arriti të hiqte me sukses masën tumorale që peshonte rreth 4 kilogramë, duke i rikthyer pacientes funksionet vitale dhe duke eliminuar rrezikun për jetën.
Tutje, në njoftim është bërë e ditur se aktualisht, pacientja është në gjendje stabile shëndetësore, ndërsa masa tumorale është dërguar për ekzaminim histopatologjik në Institutin e Patologjisë në QKUK.
“Ky sukses është meritë e punës ekipore të kirurgëve, anesteziologëve dhe stafit mbështetës, të përbërë nga Dr. Fatbardh Rexha dhe Dr. Linda Uka-Musa, specialistë të kirurgjisë abdominale, si dhe Dr. Veton Pllana, specialist i anesteziologjisë. Pjesë e çmuar e ekipit ishin edhe instrumentaret Ferdane Bulliqi dhe Nerxhihane Çuni, teknikët e anestezionit Naser Spahiu dhe Besarta Mehmeti, si dhe infermierët Alma Musa, Besmire Mustafa dhe Rafet Bahtiri.” Ka theksuar Spitali i Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.












