Sht, Mar 28, 2026
Banner Top
Banner Top
ZRRE bën thirrje për kursim të energjisë 

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se më 24 dhjetor bordi iZRRE-së ka mbajtur një takim koordinues me kompanitë e licencuara në sektorin e energjisë, përkatësisht me përfaqësuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesit me Shërbim Universal (KESCO).

Sipas njoftimit, qëllimi i takimit ishte vlerësimi i sigurisë së furnizimit me energji elektrike gjatë periudhës së fundvitit, një periudhë që tradicionalisht karakterizohet nga rritje e ndjeshme e konsumit të energjisë elektrike.

“Gjatë takimit u diskutuan sfidat kryesore me të cilat zakonisht përballet rrjeti energjetik në periudha festive, përfshirë ndikimin e kushteve klimatike dimërore në stabilitetin e prodhimit dhe transmetimit; kufizimet teknike të rrjetit dhe nevoja për balancim të vazhdueshëm ndërmjet prodhimit, importit dhe konsumit; përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe funksionimin e sigurt të sistemit rajonal të energjisë; si dhe organizimin institucional gjatë periudhës së pushimeve dhe zgjedhjeve qendrore.” thuhet në njoftim.

Me këtë rast, ZRRE ka bërë thirrje për kursim të energjisë.

“ZRRE u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që gjatë kësaj periudhe të tregohen të kujdesshëm dhe racionalë në përdorimin e energjisë elektrike. Kursimi i energjisë, veçanërisht në orët e kërkesës maksimale (pikut), kontribuon drejtpërdrejt në stabilitetin e sistemit dhe në sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm për të gjithë konsumatorët.” Ka shkruar ZRRE-ja.

Tutje, në njoftim thuhet se Zyra e Rregullatorit për Energji do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën dhe të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë operatorët e sektorit për të garantuar furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji elektrike.

Youtube

Arkiva

Kategoritë