Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, organizoi tryezë të rrumbullakët kushtuar parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm të kancerit të qafës së mitrës, një sëmundje pothuajse tërësisht e parandalueshme, me shkaktar kryesor virusin HPV.
Ky kancer është i katërti më i shpeshtë te gratë në botë dhe ndër më të përhapurit edhe në Kosovë. Sipas të dhënave, rastet janë rritur nga 108 në vitin 2020 në 167 në vitin 2023, ndërsa në vitin 2024 janë raportuar 140 raste, që përbëjnë rreth 3% të të gjitha rasteve me kancer.
Me qëllim të parandalimit, në prill 2023 vendi ynë ka siguruar për herë të parë vaksinën kundër HPV-së, e cila është përfshirë në Kalendarin e rregullt të vaksinimit. Programi nisi në shkurt 2024 për vajzat 12-vjeçare, ku u vaksinuan 9,990 vajza (85% mbulim). Në vitin 2025 programi u zgjerua edhe për djemtë e së njëjtës moshë, duke arritur gjithsej 19,513 fëmijë të vaksinuar, me mbulim 85%.
Po ashtu, Ministria ka hartuar Planin e Veprimit për Skriningun e Kancerit të Qafës së Mitrës 2026–2028, që synon forcimin e parandalimit, zbulimit të hershëm dhe menaxhimit të kësaj sëmundjeje, në përputhje me objektivat globale të OBSH-së.
Ministria e Shëndetësisë riafirmon përkushtimin për mbrojtjen e shëndetit të grave dhe vazhdimin e programeve parandaluese dhe ndërgjegjësuese për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës në Kosovë.












