Shkruan Dr. Meritë Rrahmani
Diabeti nuk është vetëm një çështje që duhet trajtuar në nivel shëndetësor, por edhe në dimensionin social, edukativ dhe shoqëror
Kjo bëhet edhe më e rëndësishme kur flasim për diabetin e tipit 1, ku shumë pacientë tregojnë për sfidat që përjetojnë gjatë marrjes së insulinës pas vakteve të ushqimit, sidomos në ambiente publike.
Por sa jemi ne, si shoqëri, të edukuar rreth diabetit? Sa jemi të gatshëm t’u qëndrojmë afër këtyre personave, t’i përkrahim dhe t’i ndihmojmë kur shpesh gjendja e tyre ndryshon si pasojë e luhatjeve të glikemisë në gjak?
Sot, më 14 nëntor, shënohet Dita Botërore e Diabetit.
10 fakte të rëndësishme rreth diabetit• Diabeti është një sëmundje kronike ku trupi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë.
• Ekzistojnë dy lloje kryesore: Tipi 1 (autoimun, zakonisht shfaqet herët) dhe Tipi 2 (më i zakonshmi, shpesh i lidhur me stilin e jetesës).• Simptomat e zakonshme janë etja e shtuar, urinimi i shpeshtë, lodhja dhe humbja e peshës pa shkak.
• Rreth 90% e rasteve janë diabeti i Tipit 2, i cili shpesh mund të parandalohet me stil jetese të shëndetshëm.
• Obeziteti dhe mungesa e aktivitetit fizik janë faktorët më të mëdhenj të rrezikut për Tipin 2.
• Niveli i lartë i sheqerit në gjak, i patrajtuar, mund të dëmtojë zemrën, veshkat, sytë dhe nervat.
• Diabeti i Tipit 1 nuk mund të parandalohet, pasi lidhet me një proces autoimun.
• Trajtimi mund të përfshijë insulinë që meret subkutan (nën lëkur), ilaçe orale në varësi të llojit të diabetit.
• Matja e rregullt e glukozës është thelbësore për kontrollin e diabetit.
• Një dietë e ekuilibruar dhe aktiviteti fizik i rregullt ndihmojnë shumë në menaxhimin dhe parandalimin e diabetit të Tipit 2.5 mite të zakonshme për diabetin që NUK janë të vërteta• “Diabetikët nuk duhet të konsumojnë fare sheqer.”Jo e vërtetë. Mund të konsumojnë sheqer në sasi të kontrolluar, si pjesë e një vakti të balancuar.
• “Diabeti shkaktohet vetëm nga konsumimi i tepërt i ëmbëlsirave.”Diabeti Tip 1 nuk lidhet me dietën. Tipi 2 lidhet me faktorë të shumtë si gjenetika, mbipesha, mosha dhe aktiviteti fizik.
• “Insulina tregon se diabeti është përkeqësuar.”Jo domosdoshmërisht. Disa persona me Tip 2 kanë nevojë për insulinë për shkak të mënyrës si funksionon trupi i tyre.
• “Diabeti është i lehtë për t’u menaxhuar, thjesht mjafton shmangia e sheqerit.”Menaxhimi kërkon monitorim, planifikim të vakteve, aktivitet fizik, ilaçe dhe kujdes ndaj stresit.
• “Diabetikët nuk duhet të ushtrohen.”E kundërta është e vërtetë: ushtrimet janë shumë të dobishme me menaxhim të duhur të glukozës.Si ta kuptojmë nëse një person me diabet ka nevojë për ndihmë?
1. Shenjat e hipoglicemisë (sheqer i ulët) – urgjente
• Djersitje e papritur
• Dridhje, dobësi
• Ndryshim humori
• Të folur i paqartë
• Zbehje
• Marramendje
• Vështrim bosh / konfuzion
• Humbje e vetëdijes (në raste të rënda)Nëse personi është i hutuar ose “jo vetvetja”, dysho menjëherë hipoglicemi.
2. Shenjat e hiperglicemisë (sheqer i lartë)• Shumë etje
• Urinim i shpeshtë
• Lodhje
• Dhimbje koke
• Frymëmarrje e shpejtë (në raste të rënda)
Çfarë ndihme duhet dhënë?
Ndihma për HIPOglicemi (sheqer i ulët) – më urgjentja: Nëse personi është i vetëdijshëm:
• Jepi menjëherë diçka të ëmbël (lëng frutash, 3–4 karamele, 1 lugë sheqer/mjaltë, ose tableta glukoze).
• Prisni 10–15 minuta dhe shikoni nëse gjendja përmirësohet.
• Më pas jepi ndonjë ushqim të lehtë për stabilizim.Nëse personi është pa vetëdije:
• MOS i jep ushqim apo pije.
• Thirr urgjencën.
• Përdor Glucagon nëse është i disponueshëm dhe dikush di ta aplikojë.Ndihma për HIPERglicemi (sheqer i lartë)
• Këshilloje të masë sheqerin.
• Të pijë ujë.
• Të marrë ilaçet/insulinën sipas udhëzimit të mjekut.
• Nëse ka frymëmarrje të çuditshme, përgjumje të rëndë ose të vjella atëher thirr urgjencën.
Në këtë ditë të rëndësishme, bëhu më i informuar, më i vëmendshëm dhe më mbështetës.
Edhe një gjest i vogël si të mos paragjykosh dikë që po merr insulinë në publik, apo të ofrosh ndihmë kur dikush nuk ndihet mirë mund t’i shpëtojë jetën një personi me diabet.
Edukimi është mjeti më i fortë për të ndërtuar një shoqëri të ndërgjegjshme dhe mbështetëse.
Dr. Meritë Rrahmani













