Dhimbja e nervit shiatik është një nga arsyet më të shpeshta që i çon pacientët drejt terapive fizioterapeutike. Kjo dhimbje, që zakonisht fillon nga pjesa e poshtme e shpinës dhe përhapet deri në këmbë, mund të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e jetës së përditshme.
Por sipas fizioterapeutit Besart Ferati, shumë pacientë, në përpjekje për ta menaxhuar vetë dhimbjen, bëjnë gabime që jo vetëm që nuk ndihmojnë, por shpesh e përkeqësojnë gjendjen. Në një intervistë për emisionin “Familja Jonë”, ai ndan gabimet më të zakonshme që duhen shmangur dhe jep këshilla praktike për një trajtim të sigurt, profesional dhe afatgjatë.
Këto janë disa nga gabimet:
-Vetëmjekimi pa konsultë nga një profesionist adekuat
Ilaçet e dhimbjes mund të ndihmojnë përkohësisht, por pa identifikim të shkakut problemi mbetet. Diagnostikimi është thelbësor.
-Pushimi i tepërt
Qëndrimi për ditë të tëra në shtrat dobëson muskujt dhe ngurtëson më tej trupin. Aktiviteti i moderuar, ecja e lehtë dhe ushtrimet e përshtatshme janë shumë më të dobishme.
-Lëvizjet e pakujdesshme
Ngritja e objekteve apo ndonje peshe, përkulja pa kujdes ose aktivitetet fizike të papërshtatshme shpesh përkeqësojnë simptomat.
-Mjekimet “popullore”
Masazhet jo profesionale, kompresat e nxehta pa kontroll ose metoda të pasigurta nga aplikuesit autodidakt apo tretmane në shtëpi shpesh sjellin efekte të padëshiruara. Terapia duhet të jetë gjithmonë e udhëhequr nga profesionistë.
-Ndalimi i trajtimit sapo dhimbja largohet
Shumë pacientë ndalojnë terapinë kur ndihen më mirë, por ky është gabim. Trajtimi duhet të vazhdojë edhe pas lehtësimit të simptomave, për të parandaluar rikthimin.
Psh. Me ushtrime, kshilla nga fizioterapeuti dhe profesionistet tjerë mjeksor.
Gabimet e vogla në vetëmenaxhim mund të kushtojnë shumë më tepër sesa një vizitë e rregullt te mjeku./Familjajonë












