Sht, Mar 28, 2026
Banner Top
Banner Top

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, së bashku me ekipin mjekësor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), ka vizituar sot Qendrat Kulturore të të Moshuarve, në kuadër të aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të Hipertensionit.

Gjatë vizitës, ekipet mjekësore matën parametrat vitalë të të moshuarve, përfshirë shtypjen e gjakut dhe pulsin, dhe i informuan ata për shërbimet që ofrohen në kuadër të kujdesit parësor shëndetësor.

Drejtori Sadiku bëri të ditur se tashmë në QKMF është funksionalizuar për herë të parë “Këshillimorja për Sëmundjet Kronike Jo-ngjitëse”, e cila ofron shërbime të përditshme për qytetarët me sëmundje si diabeti, hipertensioni, astma dhe të tjera.

“Çdo qytetar me sëmundje kronike mund të marrë këshillim mjekësor të dedikuar në mënyrë profesionale dhe të rregullt. Kjo është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve për të moshuarit dhe për gjithë ata që përballen me këto sëmundje”, theksoi Sadiku.

Aktiviteti i organizuar sot është realizuar në bashkëpunim me projektin AQH dhe ka për qëllim ndërgjegjësimin dhe parandalimin e sëmundjeve kronike, të cilat janë në rritje të vazhdueshme.

Drejtoria e Shëndetësisë ka paralajmëruar se do të vazhdojë fuqizimin e programeve parandaluese duke e vendosur shëndetin e qytetarëve, e veçanërisht të të moshuarve, në qendër të vëmendjes.

Youtube

Arkiva

Kategoritë