Hën, Tet 12, 2026
Banner Top
Banner Top
Intervistë: Lindja Magjike ‘En Caul’ – Një Fenomen i Rrallë i kryer nga Dr. Berat Krasniqi

Krenare Hoti

Lindja është një nga momentet më të mrekullueshme dhe të rëndësishme në jetën e një familjeje, por ndonjëherë ajo mund të ndodhë në mënyra të pazakonta dhe mbresëlënëse. Një nga këto raste të veçanta është lindja “En Caul”, një fenomen i rrallë i cili ndodh 1 në 80.000 lindje. Ky fenomen vizualisht mahnitës shpesh përshkruhet si një lindje “magjike” ose “mistike”.

Një lindje e tillë ka ndodhur në Kosovë, e cila u krye nga Dr. Berat Krasniqi. Prandaj, Familja Jonë ka intervistuar Dr. Krasniqin për të marrë më shumë informacione rreth kësaj lindjeje të suksesshme.  

Ai ndau me lexuesit e Familja Jonë detaje interesante rreth procesit, sfidave të mundshme dhe magjisë së këtij momenti të rrallë. Çfarë e bën këtë lindje kaq të veçantë? A paraqet ndonjë rrezik për nënën dhe foshnjën? Dhe si është e mundur që një foshnjë të vijë në jetë pa e thyer qeskën e saj mbrojtëse? Përgjigjet për këto pyetje dhe më shumë do t’i gjeni në vijim.

Intervista e plotë:

  1. Çfarë do të thotë një lindje “En Caul” dhe si ndodh kjo lindje?

Një lindje “en caul” është një fenomen i rrallë ku foshnja lind e mbështjellë brenda qeskës amniotike, e cila nuk çahet gjatë lindjes. Kjo mund të ndodhë në lindje natyrale ose gjatë një operacioni cezarian, kur membranat e qeskës nuk plasin gjatë procesit të lindjes. Zakonisht, qeska çahet spontanisht gjatë kontraktimeve ose nga ndërhyrja e mjekut, por në raste të rralla, ajo mbetet e paprekur.

2. Çfarë mund të na thoni për rastin ‘En caul birth’ të cilin e keni kryer?

Në rastin konkret të realizuar nga unë dhe ekipa, kemi pasur një lindje cezariane ku qeska amniotike mbeti e paprekur gjatë nxjerrjes së foshnjës, por edhe froshnja ishte prezenzim me kembë. Ky është një fenomen unik dhe vizualisht mbresëlënës, pasi foshnja është e rrethuar nga një shtresë mbrojtëse tërësisht e paprekur, duke imituar gjendjen e saj brenda mitrës. Në këtë rast të veçantë, gjithçka shkoi mirë si për nënën ashtu edhe për foshnjën, pa ndërlikime.

3. A pati ndonjë rrezik të veçantë për foshnjën dhe nënën gjatë lindjes ‘en caul’ të cilën e keni kryer?

Në përgjithësi, lindjet “en caul” nuk paraqesin ndonjë rrezik shtesë për nënën ose foshnjën, për sa kohë që lindja monitorohet dhe trajtohet nga një ekip i kualifikuar. Në rastin tonë, gjithçka u zhvillua normalisht. Megjithatë, në disa raste, nëse qeska nuk çahet dhe foshnja mbetet brenda për një kohë të gjatë pas daljes, mund të ketë rrezik të vogël për vështirësi në frymëmarrje.

4. A ka indikacione të veçanta që mund të sinjalizojnë një lindje të tillë, para se të ndodhi?

Në shumicën e rasteve, nuk ka një shenjë të qartë që tregon se një lindje do të ndodhë “en caul”. Megjithatë, disa faktorë mund ta favorizojnë këtë ndodhi, siç janë:

  • Lindjet premature (ku membranat janë më të forta dhe mund të mos çahet menjëherë);
  • Lëvizjet minimale të fetusit gjatë lindjes;
  • Lindja spontane – mungesa e ndërhyrjeve të jashtme gjatë lindjes natyrale.

Në rastin e lindjes cezariane, siç ndodhi në rastin tonë, ndonjëherë qeska mbetet e paprekur nga prerja gjatë intervenimit dhe nxjerrja e kujdesshme e foshnjës.  

5. A mund të ndodhin ndërlikime gjatë kësaj lindjeje?

Ndërlikimet janë të rralla, por në raste shumë të rralla, foshnja mund të ketë nevojë për ndihmë shtesë për të marrë frymë, nëse qeska mbetet për një kohë të gjatë pas lindjes. Në këtë rast të veçantë, nuk ka pasur asnjë ndërlikim.

6. Si është mundësia që të shfaqet një lindje ‘en caul’ në rastet normale të lindjes?

Lindjet “en caul” janë më të zakonshme në lindjet premature, sepse membranat e qeskës janë më të forta dhe mund të mos plasin gjatë procesit të lindjes. Në një lindje normale në term të plotë, kjo ndodh shumë rrallë, pasi zakonisht membranat plasin ose spontanisht gjatë kontraktimeve ose nga ndërhyrja e mjekut për të ndihmuar lindjen.

7. A është e mundur që një lindje en caul të ndodhi edhe gjatë një lindjeje me operacion cezarian?

Po, është e mundur dhe ndodh më shpesh në lindjet cezariane sesa në ato natyrale. Gjatë një operacioni cezarian, nëse qeska nuk çahet gjatë prerjes së mitrës dhe foshnja nxirret me kujdes, ajo mund të mbetet e mbështjellë brenda membranave të saj. Rasti jonë është pikërisht rasti i kësaj lindjeje specifike.

8. Çfarë ndodh me foshnjën dhe nënën pas lindjes ‘en caul’ në këtë rast të veçantë?

Pasi foshnja del e mbështjellë në qeskën amniotike, ne mjekët e çajmë atë me kujdes dhe sigurohemi që foshnja të fillojë frymëmarrjen normale. Procesi i kujdesit pas lindjes është i njëjtë si për çdo lindje tjetër. Për nënën, gjithçka vazhdon sipas rutinës së zakonshme të rikuperimit pas lindjes cezariane. Në rastin tonë, si nëna ashtu edhe foshnja ishin në gjendje të mirë shëndetësore.

Youtube

Arkiva

Kategoritë