Kanceri i qafës së mitrës është një lloj kanceri i cili zhvillohet në qafën e mitrës së një femre dhe është kanceri i dytë më i zakonshëm te femrat, veçanërisht në vendet në zhvillim. Kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje tërësisht e parandalueshme e megjithatë, ai mbetet shkak i rëndësishëm i vdekjes nga kanceri te gratë në mbarë botën.
Kanceri i qafës së mitrës shkaktohet nga infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës humane- HPV, një infeksion i zakonshëm i traktit riprodhues që transmetohet seksualisht. Ka shumë lloje të HPV-së, por jo të gjitha shkaktojnë probleme. Kryesisht llojet 16 e 18 të HPV-së, njihen si lloje me rrezik të lartë kancershkaktues të kancerit të qafës së mitrës te gratë.
Shumica e infeksioneve nga HPV nuk kanë shenja dhe kalojnë në mënyrë spontane. Kur shfaqen shenjat mund të përfshijnë: gjakderdhje jo të rregullt midis cikleve menstruale, gjakderdhje jonormale vaginale pas marrëdhënieve seksuale, dhimbje mesi apo në fund të barkut, lodhje, humbje peshe dhe oreksi, parehati vaginale ose sekrecione vaginale jonormale, dhimbje gjatë kontaktit seksual, etj. Në faza të avancuara shfaqen edhe simptoma të tjera më të rënda.
Depistimi në vetvete nuk ka asnjë vlerë parandaluese nëse nuk lidhet me trajtimin e rasteve parakanceroze të qafës së mitrës. Nëse kanceri i qafës së mitrës kapet herët, është më i lehtë për t’u trajtuar, mbijetesa rritet dhe cilësia e jetës së gruas është më e mirë.
Në disa raste, pjesët jonormale duhen hequr që të mos përparojnë në kancer të qafës së mitrës. Kjo gjë kërkon një trajtim të thjeshtë dhe jo gjithmonë kërkon shtrim në spital. Ky trajtim nuk ndikon në jetën seksuale apo në mundësinë për të patur fëmijë në të ardhmen.
Gratë që janë trajtuar për parakancer të qafës së mitrës duhet të ndiqen dhe trajtohen pas 12 muajsh. Nëse më pas shenjat e kancerit të qafës së mitrës janë të pranishme, mundësitë e trajtimit përfshijnë kirurgjinë, radioterapinë dhe kimioterapinë.












