Me afrimin e sezonit të plazhit ndoshta po mendoni të bëni rezervimin paraprak të pushimeve tuaja, dhe ne do t’jua këshillonim këtë pasi edhe mundësitë për të paguar diçka më pak janë më të mëdha. Ndër alternativat që mund të merrni në konsideratë, është edhe vendi ynë.
Por cilat janë konkretisht vendet që mund të shijoni nëse me ju do të jetë dhe fëmija juaj?
• Pogradeci. Ky qytet që ndodhet në juglindje të vendit tonë do të jetë një mundësi e mirë për të shijuar disa ditë plazhi në temperatura jo të larta, si edhe me një ushqim tepër të mirë. Përiudha më e mirë për ta vizituar do të ishte muaji korrik.
• Ksamili. Ndodhet pranë qytetit të Sarandës dhe uji i tij i kristaltë do t’ju bëjë të kaloni disa ditë të mrekullueshme.
• Plazhi i Gjeneralit. Ndodhet pranë Kavajës dhe është një alternativë shumë e mirë për ata që nuk duan të udhëtojnë për një kohë të gjatë me makinë.
• Borshi. Është një fshat që bën pjesë në komunën e Sarandës. Uji i tij i pastër si edhe qetësia do ta bëjnë një destinacion të përkryer për ju dhe fëmijën tuaj.
• “Rana e hedhun”. Konsiderohet si perla e Adriatikut dhe ndodhet në Shëngjin.
• Radhima. Ndodhet në qytetin e Vlorës dhe ofron për të gjithë pushuesit një det të mrekullueshëm, karakteristika tipike e detit Jon.
• Plazhi i Lukovës. Një plazh që karakterizohet nga gjelbërimi dhe ndodhet në komunën e Sarandës.
• Plazhi i Potamit. Ndodhet në Himarë dhe është një alternativë shumë e mirë për ata që duan të qëndrojnë pranë qëndrës së qytetit.
• Livadh. Ky plazh ndodhet gjithashtu në Himarë dhe është i përbërë nga deti i kristaltë si edhe gurët e bardhë.
Pushime të mbara!