Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se numri i i të sëmurëve me kancer deri në fund të vitit mund të prekë shifrën afro 2 mijë personave.
Ai thotë se një numër tejet i vogël i pacientëve të paraqitur e trajtuar në këtë klinikë janë drejtuar për jashtë vendit në pamundësi të gjetjes së trajtimit adekuat në Kosovë.
“Deri në fund të vitit në bazë të trendit të sëmundjeve malinje ky numër mund të kap shifrën e 2000 personave të rinj të sëmurë me kancer në Kosovë. Është numër shumë i vogël i pacientëve të dërguar jashtë shtetit, dhe ne kemi referuar deri tash 3-4 raste, prej tyre janë 2 ose tre të cilët kanë pasur nevojë të bëjnë një formë të rrezatimit të vecantë e cila nuk bëhet në asnjë vend tjetër të rajonit sic është Gama Knife ose Cyber Knife dhe e kemi pasur një rast i cili është dashur të marri një formë të vecantë të kimioterapisë direkte në bark ose në mëlqi dhe këto janë do të thotë numër minimal të cilët kërkojnë dhe marrin trajtim jashtë Kosovës”, u shpreh Kurtishi.
Ai tha se janë mirë të furnizuar me barëra të cilat si klinikë i marrin çdo javë ose tri herë në muaj. Një numër minimal i barërave të cilat mungojnë, sipas tij, mungojnë për shkaqe të autorizim-marketingut.
“Realisht ne jemi të furnizuar mirë me medikamente përpos 4-5 ilaqeve të cilat janë në mungesë shkaku i autorizim-marketingut dhe këta gjashtë muajt e parë mbi 90% e barnave me të cilat pacientët trajtohen ne i kemi në klinikë dhe ata i marrim në baza javore ose tre javore sipas ciklit dhe protokollit të trajtimit të këtyre sëmundjeve”.
Doktor Kurtishi tha se kjo ikje e mjekëve nuk ishte evidente në Klinikën e Onkologjisë, mirëpo planifikojnë të hapnin pozita për specializantë të rinj me qëllim hapjen e qendrave të reja, raporton EO.
“Onkologë jemi të ndarë në dy reparte, në repartin e radioterapisë punojnë shtatë radioterapeutë dhe në repartin e kemioterapisë punojnë trembëdhjetë onkologë, ndërkaq kemi katër specializantë kurse në të ardhmen ne planifikojmë të hapin edhe specializime të reja dhe të kemi staf të ri, specializantë të rinj sidomos për ato qendra të Kosovës të cilat ne planifikojmë dhe vec kemi filluar që këto shërbime ambulantore, ditore, një herë në muaj t’i avansojmë dhe t’i hapim ato qendra”.
Kurtishi tha se planifikohet të vazhdojë progresi në raport me punën në këtë klinikë përfshirë këtu digjitalizimin e shërbimeve ndaj pacientëve dhe përmisimin e infrastrukturës.
“Neve secila legjislaturë na ka ndihmuar maksimalisht, pasi natyra e sëmundjes është e tillë. Dhe në këto tre-katër vitet e fundit ne e kemi modernizuar komplet shërbimin e radioterapisë, ndërkaq në muajin shtator do të kompletohet ndërrimi i aparaturës së vjetër dhe zëvendësimi me aparaturë moderne, shumë të re. Dhe kohëve të fundit jemi të furnizuar edhe me barna, barna të reja, barna të mencura, kurse është në procedurë të renovimit Klinika e Onkologjisë. Që deri në fund të vitit mendojmë se kjo procedurë do të kryhet dhe do të kemi qasje më të mirë për pacientë, do të kemi shtretër më shumë dhe një infrastrukturë më moderne normalisht edhe do të kemi një digjitalizim të shërbimeve të klinikës sonë e cila do të na lehtësojë më shumë punën e përditshme me pacientë. Do të zgjerohen hapësirat do të rritet numri i shtretërve, dhe do të kemi mundësi që pacientet në të njëjtën kohë, një numër dyfish më të madh të i vendosim në të njëjtën kohë në marrjen e këtyre shërbimeve dhe normalisht kjo do të na lehtësojë punën”