Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Cilat janë shenjat më të zakonshme të depresionit?

Çrregullimet depresive janë sëmundje në të cilat ulja e vazhdueshme e humorit dhe mungesa e ndjenjës së kënaqësisë në jetë (anhedonia) janë tipare të dukshme dhe të qëndrueshme. Çrregullimet depresive ndahen në Depresion Madhor (që mund të ketë një episod të vetëm ose episode të përsëritura depresive) dhe në Distimi. Një episod depresiv quhet kur ka të paktën 5 nga 9 simptomat e përcaktuara dhe ku humori depresiv ose interesi e kënaqësia e ulur ndaj aktiviteteve të përditshme janë të pranishme. Simptomat e tjera përfshijnë humbjen ose fitimin e dukshëm të peshës, pagjumësinë, axhitimin ose frenimin, përqëndrimin e pakët, ndjenjat e pashpresa dhe mendimet përsëritëse rreth vdekjes. Distimia përfshin humorin depresiv ose te irritueshëm dhe dy nga pesë simptomat që mund të jenë ulje e oreksit, pagjumësi, energji e ulur, vetëvlerësim i ulur, përqëndrim i pakët dhe ndjenja e mungesës së shpresës.

A është depresioni sëmundje mendore?

Depresioni është një çrregullim i shëndetit mendor. Është më shumë se vetëm një ndjenjë përkohësisht e keqe për ndonjë arsye të veçantë; është një çrregullim mjekësor që ka nevojë për ndihmë profesionale dhe mund të trajtohet. Ndonjëherë nuk është e lehtë të dallosh ndjenjat e trishtimit që përjeton dikush kohë pas kohe nga një çrregullim depresiv. Shenjat e depresionit nuk duhen ngatërruar me shqetësime ose vuajtje normale: depresioni është një sëmundje që përfshin shenja dhe simptoma që zgjasin javë, muaj apo vite, pa njohjen e gjendjes ose pa trajtimin e duhur. Kur je në depresion ndjenja e trishtimit është më e fortë dhe zgjat në kohë, duke ndikuar në aktivitetin e përditshëm, dhe duke penguar shijimin e gjërave që më parë jepnin kënaqësi. Në dallim nga shqetësimi mendor si reagim ndaj ngjarjeve jetësore, çrregullimet mendore si depresioni janë më pak të zakonshme dhe mund të ndodhin me ose pa ndonjë shkak të dukshëm.

A ka depresioni një histori familjare?
Në shfaqjen e depresionit luan rol faktori gjenetik, por deri më tani nuk ka qenë e mundur të identifikohet një gjen i veçantë që shkakton fillimin e një episodi depresiv. Shumë studime kanë treguar se gjasat e zhvillimit të depresionit trefishohen për njerëzit me prindër apo vëllezër/ motra në depresion, krahasuar me njerëzit që nuk kanë të afërm të prekur nga depresioni. Por për zhvillimin aktual të çrregullimit mendor, duhet të jenë të pranishëm faktorë të tjerë gjithashtu.

Cilat janë shenjat e depresionit dhe simptomat më të zakonshme? 

  • Gjendja vazhdimisht trishtuese, anksioze ose boshe,
  • Humbja e interesit në aktivitete që dikur ishin interesante apo të kënaqshme,
  • Lodhja e pazakontë, niveli i ulët i energjisë, ndjenja e ngadalësimit,
  • Humbja e oreksit (me humbje peshe) ose ngrënie e vazhdueshme (me shtim në peshë),
  • Shqetësimi i gjumit dhe pagjumësia, zgjimi herët në mëngjes ose gjumë i gjatë,
    Humbja e shprehjes emocionale (ndikim i sheshtë),
  • Ndjenjat e mungesës së shpresës, pesimizmit, fajit, pavlefshmërisë ose vulnerabël,
  • Tërheqja sociale,
  • Problemet me përqendrimin, kujtesën apo marrjen e vendimeve,
  • Nervozizmi ose irritimi i pazakontë,
  • Problemet e vazhdueshme fizike të tilla si dhimbje koke, çrregullime të tretjes ose dhimbje kronike që nuk i përgjigjen trajtimit.
  • Mendimet rreth vdekjes, vetëvrasjes, përpjekjet për vetëvrasje ose dëmtim të vetes.

Çrregullimet depresive nuk janë vetëm çrregullime psikologjike por përfshijnë procese biologjike, simptomat fizike janë shumë të zakonshme:

  • Reduktimi i oreksit dhe humbja e peshës,
  • Humbja e interesit seksual,
  • Dhimbje koke,
  • Marramendje,
  • Problemet me zemrën,
  • Problemet me frymëmarrjen,
  • Dhimbje kurrizi,
  • Ankesat gastrointestinale,
  • Dhimbje barku.
  • Sa i përhapur është depresioni?
  • Depresioni është shumë i zakonshëm; në të vërtetë është një nga problemet më të zakonshme të shëndetit mendor. Një në katër ose pesë individë do të përjetojë depresion në një fazë të jetës së tij. Rreth 20 milionë qytetarë evropianë vuajnë nga depresioni çdo vit (OBSH, 2008). Barra e depresionit është e madhe: prek rreth një në katër gra dhe një në tetë burra gjatë jetës së tyre. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 6.2% e fëmijëve dhe adoleshentëve në moshën 9 deri në 17 vjeç vuajnë nga depresioni, gjë që është më e zakonshme te femrat.

Depresioni mund të prekë këdo. Burrat dhe gratë e çdo grup-moshe, niveli arsimor dhe statusi social dhe ekonomik vuajnë nga depresioni. Depresioni shpesh përsëritet pas një episodi të parë, dhe mund të bëhet kronik nëse nuk diagnostikohet dhe nuk trajtohet. Tek paraadoleshentët, megjithëse 10- 15% e fëmijëve duken depresivë, vetëm 2% janë të diagnostikueshëm si depresivë sipas kritereve te DSM V.

Ka një rritje të  dukshme të crregullimit depresiv te adoleshentët. Ka një diferencë të vogël në përqindjen e humorit depresiv dhe crregullimit depresiv midis paraadoleshentëve djem dhe vajza, por në moshën e adoleshencës vajzat në krahasim me djemtë janë depresive në raportin 2 me 1. Arsyet për këtë mund të gjenden në diferencat hormonale ose psikologjike.

Psikoterapia psikodinamike 
Psikoterapia psikodinamike bazohet në njohuritë e psikoanalizës. Bëhen supozime të ngjashme në lidhje me shkaqet e çrregullimeve psikiatrike, domethënë ato janë rezultat i problemeve emocionale në mendjen e pandërgjegjshme. Në dallim me psikoanalizën, kjo lloj psikoterapie merret me konfliktet aktuale të brendshme dhe me marrëdhëniet e klientit me të tjerët. Trajtimi bëhet në një pozicion ulur, ku terapisti dhe klienti kanë kontaktin me sy. Qasja e terapistit mund të jetë nga pasive në pjesëmarrje dhe sigurimin e strukturës.

Këshillimi mbështetës 
Disa psikoterapistë mund të përdorin një qasje mbështetëse, përqasje këshillimi jodirektiv, vetëm ose në kombinim me qasje të tjera terapish. Këshillimi mbështetës gjithashtu përdoret rregullisht nga profesionistët e tjerë të kujdesit shëndetësor dhe vullnetarët. Ky lloj këshillimi ka për qëllim të sigurojë atmosferë mbështetëse për klientin për të zgjidhur problemet e tyre. Kjo arrihet nga terapisti duke dëgjuar me vëmendje dhe inkurajuar personin të flasë për gjendjen e tij, dhe të eksplorojë zgjidhje të mundshme në mënyrë të kujdesshme dhe të respektueshme. Ky lloj këshillimi mund të ndihmojë për të siguruar dhe fuqizuar klientin, por efikasiteti i tij afatgjatë në trajtimin e depresionit, ende nuk është shfaqur/vërtetuar.


Ndërhyrjet sociale dhe ndërhyrjet e tjera.

Këto përfshijnë aktivitetet sociale, strategjitë relaksuese, stërvitjen e moderuar të rregullt, pushimin mjekësor (nëse është e nevojshme), të mësuarit rreth sëmundjes dhe si të angazhohen në ndihmën ndaj vetes. Këto aktivitete mund të ndihmojnë në nxitjen e shpresës dhe fuqizimit që shtojnë efektin terapeutik të barnave dhe psikoterapisë.

Disa lloje të tjera të trajtimeve, të quajtura plotësuese ose alternative, mund të jenë shumë të popullarizuara. Megjithatë, shpesh ekzistojnë dëshmi të kufizuara për efektivitetin e trajtimeve të tilla. /Familja Jonë


Youtube

Arkiva

Kategoritë