Fitër Bajrami është festa, e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit.
Fitër Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga ajo se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, kështu për ta festuar së bashku këtë festë.
Prej kur daton Bajrami?
Bajrami i parë i Muhammedit a. s. ka qenë në vitin e dytë hixhri, në çka tregon hadithi në të cilin Enesi transmeton se “Pejgamberi i Allahut erdhi në Medinë, kurse banorët e saj kishin dy festa nga koha e injorancës, gjatë së cilave ditë ata argëtoheshin. Pejgamberi a. s. i pyeti: “Cilat janë këto dy ditë?’, kurse ata u përgjigjen: ‘Dy ditë në të cilat ditë jemi argëtuar gjatë kohës së injorancës.” Në këtë Pejgamberi i Zotit tha: “Allahu ua ka zëvendësuar ato festa me dy festa më të mira: atë të Kurbanit dhe të Ramazanit.’” (Ebu Davudi, hadithi është sahih.)
Besimtarët myslimanë, përkatësisht shënojnë edhe disa data të tjera, si: Bedrin, Çlirimin e Mekës, Kadrin, Mi’raxhin, Mevludin etj. Në këto ditë agjërohet, lexohet Kur’an, bëhet namaz nafile e veprime tjera të pëlqyera. Disa grupe minore thonë se këto nuk janë festa dhe se janë haram (bid’ate) të festohen. Përgjigjja është se këto data nuk janë detyrime fetare, por data që muslimanët i kujtojnë për të mirë dhe në këtë emër këndojnë Kur’an, agjërojnë, bëjnë ibadete të ndryshme, ndajnë sadakë, jo si festa por si ditë që duhet ta mbajnë gjallë kujtesën e myslimanëve. Me këtë veprim ata nuk kryejnë asnjë shkelje të dispozitave, përkundrazi, shtojnë intensitetin e ibadeteve dhe zbusin zemrat para egoizmit.