Nëse faqet tuaja janë shpesh të skuqura, duhet të keni pyetur veten se cila është arsyeja e këtij reagimi në fytyrën tuaj. Një zbulim i ri mund të shpjegojë pse njerëzit që mbajnë një variant të gjenit janë më të prirur ndaj skuqjes së fytyrës. Gjegjësisht, varianti i gjenit që shkakton skuqje pas pirjes së alkoolit gjithashtu rrit inflamacionin dhe ndikon në qarkullimin në trup.
Hulumtimi, rezultatet e të cilit u botuan në revistën Science Translational Medicine, kombinoi dy studime të ndryshme të kryera mbi minj me analizën e të dhënave gjenomike të shkarkuara nga burimet e Biobank në Japoni dhe Britaninë e Madhe.
Efektet e alkoolit në shëndetin e një pjese të madhe të popullatës njerëzore zbuten kryesisht nga veprimi i enzimës ALDH2, e cila e zbërthen alkoolin në përbërës më pak të dëmshëm. Së pari, etanoli shndërrohet në një përbërës të quajtur acetaldehid nga një enzimë e quajtur alkool dehidrogjenazë. Acetaldehidi më pas zbërthehet me shpejtësi në acetat nga ALDH2, përcjell Index.hr.
Megjithatë, për njerëzit me një variant të të ashtuquajturit gjeni ALDH2*2, procesi nuk është aq i thjeshtë. Enzima e tyre ALDH2 ka një funksion të reduktuar ndjeshëm. Si rezultat, acetaldehidi toksik qëndron në trupin e tyre shumë më gjatë, duke shkaktuar efekte më të këqija shëndetësore sesa vetë dhimbja e kokës nga alkooli. Ky variant pothuajse mungon në shumicën e pjesëve të botës, me përjashtim të Azisë Lindore, ku është i pranishëm në rreth një të tretën e njerëzve.
“Njerëzit që pinë e kanë këtë gjenotip, janë të ekspozuar ndaj një rreziku në rritje të kancerit dhe gjithashtu kanë deri në 48 për qind rrezik më të lartë të sëmundjeve të zemrës”, paralajmërojnë mjekët.
Një ekip i udhëhequr nga Joseph C. Wu, MD, drejtor i Institutit Kardiovaskular të Stanfordit, analizoi gjenomin e 29 mijë e 319 rasteve të njerëzve me sëmundje të zemrës.
Pasi konfirmuan lidhjen e fortë midis variantit ALDH2*2 dhe sëmundjeve të zemrës, shkencëtarët u fokusuan në shkaqet e nëntë subjekteve të prekur. Ata vunë re se pasi kishin pirë vetëm një pije standarde, subjektet kishin reduktuar funksionin e qelizave endoteliale, e cila luan një rol kyç në përcaktimin e rrezikut të një lloji të zakonshëm të sëmundjes së zemrës, domethënë sëmundjes së arterieve koronare.