Albina Selmanaj
Sëmundja Alzheimer është një sëmundje që shkatërron qelizat nervore të trurit. Ajo shfaqet kryesisht në moshat e avancuara dhe shoqërohet me dobësim të aftësive të trurit dhe çrregullim të kujtesës. Kjo sëmundje është përshkruar për herë të parë në fillim të shekullit 20 nga mjeku gjerman, Dr. Alois Alzheimer, i cili u bazua në të dhënat klinike dhe ato anatomo-patologjike të evidentuara në njërin prej pacientëve të tij
Meqnëse nëntori është muaji i ndergjegjësimit për sëmundjen e Alezheimerit neurologu, Milaim Krasniqi në një intervistë për portalin Familjajonë ka dhënë informacione shumë të rëndësishme për këtë sëmundje.
Ndër të tjera, Krasniqi ka folur për shenjat e para të sëmundjes së Alzheimerit, shkaktarët dhe fazat e kësaj sëmundje. Tutje, ai ka treguar edhe për grupet të cilat janë më të atakuara nga kjo sëmundje por po ashtu edhe rreth asaj se sa është e mundur të shërohet Alzheimeri si sëmundje.
Intervista e plotë:
Cilat janë shenjat e para të sëmundjes së Alzheimerit?
Alzheimer është sëmundje neurodegjenerative me fillim të fshehtë dhe përparim gradual të
humbjes së kujtesës, pra si shenjë apo simptomë fillestare konsiderohet humbja e kujtesës. Karakterizohet me dëmtime kognitive(të njohjes) dhe të sjelljes, të cilat interferojnë në funksionimin
social dhe profesional. Më shumë se 10% e personave mbi moshën 70 vjeçare kanë humbje sinjifikante të kujtesës, te më shumë se gjysma e tyre shkaktari është sëmundja Alzheimer.
Cilat janë fazat e sëmundjes së Alzheimerit?
Sëmundja Alzheimer ka katër faza: Faza paraklinike,faza e lehtë,faza e moderuar dhe faza e rëndë.
Duke filluar nga faza e parë paraklinike,në të cilën pacienti është në gjedje normale gjatë ekzaminimit, pa asnjë shenjë apo simptomë të sëmundjes, deri në fazën e katërt apo përfundimtare ku pacienti është plotësisht i varur nga kujdesi i të tjerëve.
– Në fazën paraklinike pacienti mund të shfaqet plotësisht normal në ekzaminimin fizikal dhe testimin e statusit mental. Në këtë fazë dekada paraparaqitjes së simptomave dhe shenjave, vetëm me ekzaminim imazherik në regjione specifike të trurit vërhen ndryshime që tregojnë për Alzheimer.
– Në fazën e lehtë, përfshihen: humbja e kujtesës, konfuzion( hutimi) rreth lokacionit të familjarëve,
problem me menagjimin e parave dhe pagesën e fakturave, gjykimi i dëmtuar,që shpesh qon në
vendime të këqija, humbja e ndjenjës së iniciativës, ndryshime të personalitetit dhe humorit, rritje të
anksiozitetit.
– Në fazën e moderuar(mesatare), përfshihen: rritje e humbjes së kujtesës dhe konfuzion,
kohëzgjatja e shkurtuar e vëmendjes, problem në njohjen e miqve dhe anëtarëve të familjes,
probleme gjuhësore(problem me lexim,shkrim dhe punë me numra), vështirësi në organizimin e
mendimeve dhe të menduarit logjik, paaftësi për të mësuar gjëra të reja ose për të përballuar situata
të reja ose të papritura, parehati, agjitim, anksiozitet,bredhje gjatë natës, fjalë dhe lëvizje të
përsëritura, dridhje të herpas-hershme të muskujve, halucinacione, deluzione, dyshim ose paranoj,
nervozizëm,humbje e kontrollit impulsiv(zhveshja në kohë ose vende të papërshtatshme ose gjuhë
vulgare), probleme perceptive-motorike(për tu ngritur nga një karrige ose për tu vendosur në
tryezë).
– Në fazën e rëndë të sëmundjes Alzheimer pacientët nuk mund të njohin familjarët e tyre dhe nuk
mund të komunikojnë në mënyrë efektive, janë të varur plotësisht nga kujdesi i të tjerëve.
Shenja të tjera gjatë kësaj faze janë: humbja e peshës, ataqe konvulzive, infeksione të lëkurës,
vështirësi në gëlltitje, rënkime, përgjumje, humbje e kontrollit të fshikëzës dhe zorrëve. Në stadin
përfundimtar, pacientët në shumicën e kohës janë të shtrirë në shtrat. Vdekja zakonisht vie si
rezultati i sëmundjeve të tjera, shpesh nga pneumonia aspirative.
Çfarë e shkakton sëmundjen e Alzheimerit?
Shkaktari është i panjohur. Mendohet se faktorët gjenetik dhe mjedisor luajnë rol të rëndësishëm në
shfaqjen e sëmundjes. Në 90% të rasteve shkaktarët e Alzheimerit janë sporadik(jo trashëgues) dhe
paraqiten mbi moshën 60 vjeçare, ndërsa në 10% të rasteve ekzistojnë format familjare(trashëguese) të sëmundjes, të cilat paraqiten para moshës 60 vjeçare. Faktorët mjedisor janë obeziteti, diabeti, dislipidemia,hipertensioni, infeksionet, dëmtimet traumatike të trurit.
Cilat mosha dhe gjini janë më të atakuara nga kjo sëmundje?
Moshat më të rrezikuara janë mbi 60 vjeç, por rrezikshmëria rritet me rritjen e moshës, ku mbi
moshën 80 vjeçare rrezikshmëria është shumë më e lartë. Gjinia femrore është më e rrezikuar dhe më e prekur nga Alzheimer në krahasim me gjinin mashkullore.
A mund të shërohet Alzheimeri, nëse po si, nëse jo pse?
Është një sëmundje e pashërueshme me një periudhë të gjatë paraklinike dhe ecuri progresive.
Për shkak të degjenerimit të vazhdueshëm të indit trunor, nuk ekziston ndonjë mekanizëm për ta
ndalur këtë proces. Ekziston vetem trajtim simptomatik, i cili nuk ndikon në evuluimin(zhvilimin) e sëmundjes.
Prognoza: Sëmundja prej kohës së diagnostikimit mund të zgjas 3-15 vite, zakonisht 7-10 vite.
Cilat janë mundesitë e parandalimit të kësaj sëmundje?
Nuk ka ndonjë metodë për parandalimin e sëmundjes Alzheimer. Ndryshimi i faktorëve mjedisor të
cilët i cekëm më lartë, stili i jetesës së shëndetshme, aktiviteti fizik, ushtrimet dhe fitnesi
kardiorerspirator mund të zvoglojnë rrezikun dhe mund të jenë mbrojtës nga Alzheimer.
Frutat dhe perimet, peshku dhe vaji i pasur me omega-3 mund të ulin rrezikun nga sëmundja
Alzheimer.