Sot shënohen gjashtë vjet nga diagnostikimi i rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, të konfirmuara në Departamentin e Mikrobiologjisë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
Sipas njoftimit të IKSHPK-së, nga 13 marsi i vitit 2020 deri më 13 mars 2026, në Kosovë janë testuar mbi 2 milionë mostra për SARS-CoV-2. Gjatë kësaj periudhe janë konfirmuar 276,300 raste pozitive, ndërsa janë regjistruar 3,238 humbje jete.
“Ndonëse u përballëm me një shkaktar të panjohur për ne dhe për tërë botën, treguam një shembull që dha rezultat në vend dhe u vlerësua ndërkombëtarisht,” ka shkruar IKSHPK-ja.
Sipas institutit, koordinimi, shkëmbimi i informacionit në kohë reale dhe vendimmarrja e përbashkët dëshmuan se bashkëpunimi ndërinstitucional është forca më e madhe në kohë sfidash.
“Sot, sistemi i shëndetit publik është më i përgatitur për të identifikuar, monitoruar dhe reaguar ndaj sfidave të ngjashme të shëndetit publik,” ka përfunduar njoftimi i IKSHPK-së.











