Shumë njerëz, pa e kuptuar, e dëmtojnë zemrën e tyre përmes disa zakoneve të përditshme.
Nga gjumi tek stresi, më poshtë gjeni pesë sjellje që mund të rrezikojnë shëndetin tuaj kardiovaskular.
Ndikimi i këtyre zakoneve mund të jetë më i madh se sa mendoni.
1. Mungesa e aktivitetit fizik
“Një mënyrë jetese e ulur mund të sjellë shtim në peshë, kolesterol të lartë dhe rritje të tensionit të gjakut, të gjitha këto rrisin rrezikun për sëmundjet e zemrës,” paralajmëron Dr. Christopher Broyd, kardiolog në spitalin Nuffield Health Brighton. “Aktiviteti i rregullt fizik është thelbësor për shëndetin e zemrës.”
Por nuk ka nevojë të stresoheni duke shkuar në palestër çdo ditë, mjafton të filloni me hapa të vegjël.
“Filloni me aktivitete të thjeshta si ecja, shtrirjet apo përdorimi i biçikletës stacionare,” rekomandon Broyd. “Edhe ecje të shkurtra prej 10 minutash mund të shtohen me kalimin e kohës dhe të rrisin ngadalë qëndrueshmërinë tuaj.”
Më e rëndësishmja është të zgjidhni aktivitete që ju pëlqejnë.
“Qoftë kërcimi, noti, çiklizmi apo sportet në grup, gjetja e diçkaje argëtuese e bën më të lehtë të qëndroni të motivuar,” thotë Broyd. “Zgjidhni një orar që ju përshtatet më mirë dhe përpiquni ta mbani, qofshin mëngjeset, pushimet e drekës apo mbrëmjet.”
2. Stresi kronik
Stresi i gjatë, si ai që shkaktohet nga puna e vështirë ose problemet familjare, mund të kontribuojë në problemet e zemrës, shpjegon kardiologu.
“Stresi i vazhdueshëm rrit tensionin e gjakut dhe rrezikun për atak në zemër ose goditje në tru,” thotë Broyd. “Gjithashtu, stresi nxit zakone të dëmshme si ngrënia e tepërt ose pirja e duhanit.”
“Stresi kronik në punë mund të rrisë tensionin, të ndikojë në ushqyerjen jo të shëndetshme dhe të prishë gjumin, që të gjitha ndikojnë negativisht në shëndetin e zemrës me kalimin e kohës.”
Prandaj është shumë e rëndësishme të keni mënyra efektive për të menaxhuar stresin.
“Aktiviteti i rregullt fizik si ecja, joga ose ushtrimet ndihmon të çlirohet tensioni dhe përmirëson humorin përmes rritjes së endorfinave,” thotë Broyd. “Disa njerëz gjejnë ndihmë në teknika të ndërgjegjshme si meditimi, frymëmarrja e thellë ose relaksimi progresiv i muskujve për të qetësuar mendjen dhe ulur stresin.”
3. Mos e vlerësimi i gjumit
“Mungesa e gjumit ose cilësia e dobët e tij mund të rrisë tensionin e gjakut, të kontribuojë në obezitet dhe të prishë proceset natyrale të riparimit të trupit,” shpjegon Broyd. “Çrregullimet e gjumit si apnea mund të ndikojnë shumë në shëndetin e zemrës.”
Për të ndihmuar gjumin natyral dhe të qetë, ai rekomandon të krijoni një rutinë të rregullt gjumi.
“Shkoni në shtrat dhe zgjohuni në të njëjtën orë çdo ditë, edhe në fundjavë,” këshillon Broyd. “Kjo ndihmon të rregulloni orën biologjike dhe të krijoni një model të qëndrueshëm të gjumit.”
Merrni pjesë në aktivitete qetësuese para gjumit si leximi dhe shmangni aktivitete stimulues si shikimi i serialeve të tensionuara.
Gjithashtu, përpiquni të mos konsumoni shumë kafeinë, nikotinë apo alkool në mbrëmje.
“Konsumimi i kafeinës ose nikotinës pasdite dhe mbrëmje mund të prishë gjumin,” paralajmëron Broyd. “Edhe pse alkooli mund t’ju bëjë të ndiheni të përgjumur fillimisht, ai mund të ndërpresë ciklin e gjumit më vonë gjatë natës.”
4. Mungesa e ekspozimit në diell
“Mungesa e rrezeve të diellit mund të shkaktojë mungesë të vitaminës D, që lidhet me rritje të tensionit të gjakut, inflamacion dhe rrezik më të lartë për sëmundjet e zemrës,” thotë Broyd. “Ekspozimi i sigurt në diell ose suplementet mund të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të zemrës.”
Kjo është veçanërisht e rëndësishme gjatë muajve të dimrit, prandaj shfrytëzoni pushimet gjatë punës për të dalë jashtë.
“Nëse punoni apo studioni brenda mureve, bëni pushime të shkurtra për të dalë jashtë dhe për të marrë pak diell,” rekomandon Broyd. “Synoni të qëndroni jashtë të paktën 15-30 minuta në ditë, sidomos në mëngjes kur dielli nuk është shumë i fortë.”
Ecni, uluni në park ose bëni aktivitete në natyrë si kopshtari, shëtitja e qenit apo edhe drekë në ambient të hapur.
5. Izolimi social
“Izolimi social ose ndjenja e vetmisë mund të rrisë rrezikun për sëmundje të zemrës,” thotë Broyd.
“Studimet tregojnë se vetmia shkakton stres, rrit tensionin dhe ndikon negativisht në sistemin imunitar, të gjitha këto dëmtojnë shëndetin e zemrës.”
Nëse ndiheni të vetmuar, kontaktoni miqtë ose familjarët, ose përfshihuni në ndonjë klub të ri.
“Përmirësimi i izolimit social kërkon kohë dhe përpjekje, por duke u përpjekur qëllimisht të lidheni me të tjerët dhe të krijoni marrëdhënie, mund të forconi rrjetin tuaj social dhe mirëqenien e përgjithshme, që në fund përmirëson edhe shëndetin e zemrës,” përfundon Broyd. /The Independent/












