Mirëpritja e një anëtari të ri në familje është një moment i veçantë, por mund të jetë sfidues për fëmijët më të mëdhenj që mund të shqetësohen për ndryshimet që sjell një foshnjë. Ndiqni këshillat tona për t’ia bërë ardhjen e bebit në shtëpi një përvojë përfshirëse dhe të gëzueshme për të gjithë.
Përgatitja për bebin
Për fëmijë 1–2 vjeç
Nëse fëmija juaj më i madh është ende i vogël, ka ende mënyra se si mund ta ndihmoni të përgatitet për ardhjen e vëllait apo motrës së re:
- Flisni me entuziazëm për bebin e ri
- Nëse e keni zgjedhur një emër për bebin, përdoreni atë me fëmijën tuaj që të familjarizohet me të
- Lexoni ose tregoni histori për t’u bërë vëlla apo motër e madhe dhe për të sjellë në shtëpi një foshnjë
- Provoni të luani me lojëra imagjinare që edhe ata të kenë një “bebi” për të kujdesur
Për fëmijë 2–4 vjeç
- Flisni me ta për mënyrën si do të zgjerohet familja dhe se ata do të bëhen vëlla apo motër e madhe
- Përgatitini paraprakisht për planin tuaj të lindjes dhe shpjegojuni çfarë do të bëjnë ata gjatë atij momenti
- Përfshijini në përgatitjet për bebin. Thuajuni sa ndihmues janë
- Nëse do të bëni ndonjë ndryshim të madh, si zhvendosja në një dhomë tjetër ose kalimi nga krevati i foshnjës në një sistem tjetër gjumi, përpiquni ta bëni para se të vijë bebi për të shmangur mbingarkesën
Për fëmijët në moshë shkollore
- Flisni me ta për ardhjen e bebit me një gjuhë të përshtatshme për moshën e tyre. Jini të sinqertë për atë që do të ndodhë, përfshirë anët pozitive (përqafimet e ëmbla) dhe ato më pak të këndshme (shumë të qara)
- Nëse keni miq apo familjarë me një bebi, kaloni kohë me ta që fëmija juaj të mësohet me idenë e një foshnjeje rrotull
- Përfshijini fëmijën tuaj më të madh në detyra të përshtatshme për moshën si zgjedhja e librave për të lexuar së bashku ose planifikimi i aktiviteteve për të bërë me bebin
- Flisni me ta për çfarë ishin ata kur ishin foshnjë, duke treguar histori dhe duke parë fotografi
Pas ardhjes së bebit
Pavarësisht moshës së fëmijës suaj, mirëpritja e një anëtari të ri në familje mund të sjellë një përzierje emocionesh, përfshirë gëzim dhe xhelozi. Për ta lehtësuar këtë periudhë kalimtare, provoni mënyra të përshtatshme për moshën për të:
- Përfshirë fëmijën tuaj më të madh në mirëpritjen e bebit. Pyesni nëse dëshiron të çojë fotografi të reja të bebit në shkollë ose t’u tregojë të afërmve dhe miqve për të
- Përfshirë ata në kujdesin për bebin. Gjeni mënyra që të marrin pjesë, si për shembull të sjellin pelenat nëse janë më të vegjël ose t’i ndërrojnë ato nëse janë më të rritur
- Lavdëruar sjelljet pozitive. Thuajuni sa vëlla apo motër e mrekullueshme janë kur i shihni duke treguar dashuri ndaj bebit
- Dhënë vëmendje të veçantë. Mundohuni të kaloni kohë vetëm me fëmijën tuaj më të madh sa herë që mundeni. Kjo do ta ndihmojë të ndihet i dashur dhe i kujdesur gjatë këtij ndryshimi të madh. Edhe anëtarë të tjerë të familjes që janë afër me fëmijën, si gjyshërit, mund të ndihmojnë
Menaxhimi i ndjenjave të xhelozisë
Për fëmijët e vegjël dhe ata të kopshtit, është normale të vëreni ndryshime në sjelljen e tyre pas ardhjes së bebit të ri. Mund të vëreni:
- Të qara dhe të bërtitura
- Sjellje regresive, si për shembull të sillen si foshnjë ose të harrojnë të shkojnë vetë në tualet për të kryer nevojat fiziologjike të cilat më parë i kanë kryer vetë.
- Zgjime gjatë natës
Si t’i mbështesni fëmijët dhe të menaxhoni sjelljet sfiduese
Për ta ndihmuar fëmijën tuaj të përshtatet, përpiquni të:
- Lavdëroni sjelljet pozitive
- Përfshini ata sa më shumë të jetë e mundur në kujdesin për bebin, në mënyrë të përshtatshme për moshën
- Lavdëroni sa shumë kanë mësuar dhe janë rritur që kur ishin foshnje
- Kaloni sa më shumë kohë vetëm me ta
Mos harroni, është e natyrshme që fëmijëve t’u duhet pak kohë për t’u përshtatur me ardhjen e një motre apo vëllai të ri, prandaj durimi dhe mirëkuptimi juaj do të ndihmojnë që kjo periudhë tranzicioni të jetë e suksesshme për të gjithë.













