Derisa fëmijët e vegjël rriten dhe zhvillohen ata kanë nevojë për më shumë kohë në lojë aktive, më pak kohë ulur dhe mjaftueshëm gjumë çdo ditë për të qenë të shëndetshëm. Koha larg ekraneve është kohë që ata mund ta përdorin për të qenë aktivë dhe për të ndërtuar aftësi sociale.
Në fund të fundit, trupat tanë nuk janë krijuar për të qëndruar ulur për periudha të gjata, na nevojitet lëvizja për të qëndruar të shëndetshëm.
Ndryshimet e vogla në zakonet e përdorimit të ekraneve mund të sjellin përfitime në zhvillimin fizik, social, psikologjik dhe njohës të një fëmije. Për më tepër, kur ndryshimet bëhen së bashku, mund të ndihmojnë gjithë familjen të ketë një marrëdhënie më të shëndetshme me ekranet, përfshirë prindërit.
Çfarë është koha para ekranit?
Koha para ekranit nënkupton kalimin e kohës përpara:
- kompjuterit
- lojërave elektronike
- telefonit mobil ose të mençur
- tabletit ose iPad-it
- televizorit
Sa kohë para ekranit është shumë?
Për një zhvillim të shëndetshëm, udhëzimet e qeverisë australiane rekomandojnë:
- foshnjat dhe fëmijët nën 2 vjeç të mos kenë fare kohë para ekranit
- fëmijët parashkollorë nga 2 deri në 5 vjeç të mos kalojnë më shumë se 1 orë në ditë
- fëmijët nga 5 deri në 17 vjeç të mos kalojnë më shumë se 2 orë në ditë (pa llogaritur aktivitetet shkollore)
Pse është problem koha e tepërt para ekranit?
Hulumtimet nga CoLAb tregojnë se koha e tepërt para ekranit mund të ndikojë në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve në shumë mënyra.
Sociale, emocionale dhe njohëse:
- Vështirësi në ndërtimin e aftësive sociale dhe marrëdhënieve, për shembull midis fëmijëve dhe prindërve
- Motivim i ulët dhe vetëvlerësim i dobësuar
- Zhvillimi njohës: ekranet mund ta shpërqendrojnë fëmijën nga eksplorimi dhe loja
- Ekspozimi ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme mund të ndikojë në sjelljen e ardhshme
Fizike:
- Gjumë i çrregullt për shkak të ekspozimit ndaj dritës blu
- Vonesë në zhvillimin e gjuhës dhe më pak ndërveprime verbale
- Mungesë aktiviteti fizik që mund të çojë në obezitet
- Probleme me zhvillimin e shikimit për shkak të mungesës së ekspozimit ndaj dritës së diellit
- Më shumë gjasa për të konsumuar ushqime jo të shëndetshme dhe për të mos ngrënë fruta dhe perime sa duhet
Këshilla për të ndihmuar në reduktimin e kohës para ekranit për gjithë familjen
Vendosja e rutinave dhe zakoneve pozitive që në fillim mund ta bëjë më të lehtë menaxhimin e kohës para ekranit në familje në periudhë afatgjatë. Ja disa ide për të filluar:
Vendosni rregulla dhe rutina
Filloni duke inkurajuar mos përdorimin e ekraneve gjatë vakteve ose në dhomën e gjumit. Ndihmoni në forcimin e rregullave duke ngrënë bashkë si familje pa ekrane dhe duke kufizuar përdorimin e ekraneve para gjumit.
Ndani dhe kufizoni kohën para ekranit
Provojeni vendosjen e një alarmi për 20-30 minuta (jepni një paralajmërim 5 minuta para përfundimit të kohës).
Punoni drejt ditëve pa ekrane
Filloni duke zëvendësuar vetëm gjysmë ore nga koha para ekranit me aktivitete që mund t’i bëni bashkë si familje. Mund të krijoni edhe një sistem shpërblimesh për më pak kohë para ekranit si një nxitje pozitive.
Ndryshoni zakonin edhe jashtë shtëpisë
Kur dilni jashtë, merrni me vete lodra dhe libra në vend të pajisjeve me ekran.
Jini një shembull pozitiv
Duke treguar vetë zakone të shëndetshme, mund të ndikoni tërë familjen në mënyrën si e përdor ekranin.
Aktivitete që mund të zëvendësojnë kohën para ekranit
Ndërsa ekranet mund të jenë të dobishme për të mësuar dhe për argëtim, ato nuk mund të zëvendësojnë përfitimet shëndetësore që vijnë nga të qenit aktiv, si zhvillimi i aftësive sociale dhe përmirësimi i gjumit. Merrni parasysh të balanconi kohën para ekranit me aktivitete të tjera që familja juaj i pëlqen dhe që nxisin shëndetin dhe zhvillimin e aftësive të reja, si:
- gatimi së bashku
- lëvizja përmes lojës ose aktiviteteve familjare
- leximi i një libri ose tregimi i një historie
- një shëtitje ose një xhiro me biçikletë
- krijimtaria përmes artit dhe punimeve me dorë
- të luani një instrument muzikor /Healthy Eating and Active Living/












