Mar, Dhj 30, 2025
Banner Top
Banner Top
Sekretet e Prurigo Nodularis: Çfarë e Shkakton dhe Si Trajtohet? – Intervistë me Alergologun Enis Halimi

Krenare Hoti

Prurigo Nodularis është një ndër sëmundjet kronike të lëkurës që shpesh mbetet e nënvlerësuar, ndonëse ndikon në jetën e përditshme të pacientëve. Edhe në Kosovë, qytetarët nuk janë shumë të njohur me këtë term dhe detajet rreth kësaj sëmundjeje. Si rezultat, FamiljaJonë ka zhvilluar një intervistë me alergologun/imunologun klinik, Enis Halimi.

Prurigo Nodularis është një sëmundje kronike e lëkurës që shfaqet me gunga të forta, të thata dhe me kore, të cilat kruhen fort, sidomos natën“, thekson Dr. Halimi.

Sipas tij, kjo sëmundje zakonisht shfaqet në bark, krahë, këmbë, kokë, supe dhe shpinë.

Gërvishtja e vazhdueshme mund të shkaktojë gjakderdhje apo formimin e plagëve, e kështu shenja të përhershme në lëkurë. Duke qenë një gjendje kronike, ajo mund të zgjasë për periudha të gjata dhe shpesh përkeqësohet me rikthime periodike“, shpjegon ai.

Sa i përket shkaktarëve, Dr. Halimi tregon se nuk ka një shkaktar i cili dihet plotësisht, por që mendohet se lidhet me çrregullime të sistemit nervor dhe atij imunitar. Për më tepër, ai gjithashtu tregon se nuk është ngjitëse.

Megjithatë, disa nga faktorët kryesor të cilët potencohen janë si në vijim: “Faktorët më të zakonshëm përfshijnë sëmundje kronike si dermatiti atopik, diabeti, sëmundjet e mëlçisë apo veshkave, çrregullimet e tiroides, mungesa e hekurit, problemet neurologjike etj. Gjithashtu, ndjeshmëritë alergjike dhe dermatiti i kontaktit mund të jenë kontribues për këtë sëmundje.

Në anën tjetër edhe trajtimi i kësaj sëmundjeje ka një rëndësi të veçantë. “Trajtimi i Prurigo Nodularis kërkon një qasje të personalizuar dhe të kombinuar. Fillimisht, synohet identifikimi dhe trajtimi i shkaktarit, si sëmundjet e brendshme (diabeti, çrregullimet e tiroides, veshkave apo mëlçisë), si dhe vlerësimi i barnave dhe ndjeshmërive alergjike“, thekson ai.

Tutje, Dr. Halimi shton se trajtimi i Prurigo Nodularis përfshin kremra (kortikosteroide, kalamin, vitamina D), injeksione në lëkurë për të ulur inflamacionin, dhe në raste më të rënda, imunosupresues apo fototerapi me rreze UV me qëllimi të lehtësimit të kruarjes dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së pacientit.

Gjithashtu, alergologu Halimi jep edhe këshilla për menaxhimin e jetës së përditshme për personat me këtë sëmundje.

Ai thekson se Prurigo Nodularis nuk mund të parandalohet, por për të reduktuar kruarjen dhe acarimet, pacientët duhet të ndjekin këshillat e mëposhtme:

  • Shmangni ekspozimin e tepruar ndaj diellit;
  • Mbani thonjë të shkurtër;
  • Evitoni nxehtësinë dhe djersitjen e tepërt;
  • Përdorni pastrues dhe kremra të butë për kujdesin ndaj lëkurës;
  • Vishni rroba mbrojtëse;
  • Kujdesuni për plagët e hapura duke aplikuar pomadë antibiotike dhe duke mbuluar me fasha të pastra.

Krejt në fund, alergologu Halimi potencon se trajtimi duhet ndjekur rregullisht dhe në bashkëpunim të ngushtë me mjekun për rezultate më të mira.

Youtube

Arkiva

Kategoritë