Spitali i Përgjithshëm Rezonanca 2 ka njoftuar se së shpejti do të ofrojë edhe shërbimin e kimioterapisë për pacientët e prekur nga kanceri, duke zgjeruar shërbimet në fushën e trajtimit onkologjik.
Ndërkohë, pacientët mund të përfitojnë nga kontrollet onkologjike pa pagesë me dy specialistë nga Turqia, Dr. Caner Aktaş, Onkolog i Radioterapisë, dhe Prof. Dr. Cemil Bilir, Onkolog Mjekësor.
Sipas njoftimit të spitalit, kontrollet ofrohen çdo të martë dhe të enjte, nga ora 10:00 deri në 14:00.
Cemil Bilir, është onkolog mjekësor me mbi 10 vite përvojë në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve malinje.
Si Profesor i Mjekësisë, ai sjell një përvojë të gjerë klinike dhe akademike, të ndërtuar në institucione prestigjioze në Turqi dhe SHBA. Gjithashtu, ka qenë Hulumtues Kryesor në mbi 20 studime klinike të Fazës II dhe III, duke kontribuar në avancimin e trajtimeve moderne në onkologji.
Fushat e ekspertizës së tij përfshijnë kancerin e gjirit, kanceret gjinekologjike dhe kanceret urologjike.
Kurse, Caner Aktaş është onkolog i radioterapisë me mbi 15 vite përvojë në radioterapinë onkologjike.
Me eksperiencë të fituar në qendra të njohura onkologjike në Turqi, Dr. Caner Aktaş sjell ekspertizë të avancuar në planifikimin dhe realizimin e trajtimeve me radioterapi, duke ndjekur standardet më të larta të praktikës mjekësore.
Përveç punës klinike, ai është aktiv në fushën shkencore, me publikime në revista ndërkombëtare dhe pjesëmarrje të rregullt në kongrese profesionale, duke qenë vazhdimisht i angazhuar me zhvillimet më të reja në radioterapinë onkologjike.
“Çdo hap i ri në shërbimet tona synon t’u ofrojë pacientëve më shumë mundësi për kujdes dhe trajtim”, ka theksuar në njoftimin e tyre Spitali Rezonanca 2.













